Aktualitet

'Kërcet' sërish arma në Sarandë! Policia: Ish-efektivi u plagos me tytën e pistoletës, u shkrep në ajër

Autoritetet njoftojnë se gjatë përplasjes fizike arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja.

F.I
'Kërcet' sërish arma në Sarandë! Policia:
PAMJE NGA VENDNGJARJA

SARANDË-Të shtëna me armë zjarri janë raportuar sërish mbrëmjen e sotme në Sarandë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Mitat Hoxha”, ku 56-vjeçari Adil Veli, ish-efektiv policie është goditur me tytën e armës. 

Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet njoftojnë se gjatë përplasjes fizike arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja. Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri.

Njoftimi i policisë:

Sot, rreth orës 19:10, në lagjen nr. 4, Sarandë, dyshohet se gjatë një konflikti është dëmtuar me një send të fortë, dyshohet me tytën e një pistolete, shtetasi A. V., 56 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet se gjatë momentit të goditjes me tytën e armës, arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja. Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.

Ndërkohë vetëm tre ditë më parë më 17 korrik Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, 32 dhe 24 vjeç u plagosë me armë zjarri në qytetin bregdetar. Plagosja ka ndodhur si pasojë e një konflikti për zënien e një sipërfaqe toke me vëllezërit Ramadan dhe Erjon Canaj. Të plagosurit kishin në posedim një sipërfaqe tokë në Sarandë, përgjatë vijës bregdetare, ngjitur me pronën e dy vëllezërve, e këta të fundit pretendonin se i kishin zënë sipërfaqen e tyre të tokës. Në kërkim janë shpallur edhe Artan Murtaj 43 vjeç dhe Klaus Jaçaj 31 vjeç, si bashkëpunëtorë të dy vëllezërve Canaj. Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj kërkohet si autor që tentoi të vriste me armë dy të rinjtë. Ndërsa 3 të tjerët; Erjon Canaj, Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj akuzohen për përkrahje të autorit të krimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB