
SARANDË- Dy persona janë plagosur me armë zjarri në Sarandë. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 15.00, pranë stadiumit të qytetit. Nga të dhënat e para është mësuar se dy të plagosurit janë Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, 32 dhe 24 vjeç. Pasi kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Sarandës, të dy janë sjellë për një mjekim më të specializuar në Tiranë. Por Policia ende nuk ka dhënë detaje lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore.
Ndërkohë, uniformat blu janë vënë në kërkim të dy personave, autorë të plagosjes, të cilët janë identifikuar nga kamerat e sigurisë në zonën ku ka ndodhur ngjarja. Të dyshuarit janë Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç. Në kërkim është shpallur edhe vëllai i tij, Erjon Canaj, 35 vjeç. Për kapjen e tyre, në operacion janë përfshirë edhe forcat e FNSH-së.
Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe arma e përdorur për plagosje, e cila ishte futur brenda një çante.
Dy vëllezërit Canaj të shpallur në kërkim janë persona me precedentë të mëparshëm kriminal. Ramadan Canaj, sipas mediave, ka qenë i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje dhe aktualisht është në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”. Ndërsa vëllai i tij, Erjon Canaj në dhjetor 2022 ka dhunuar rojën e spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 është arrestuar në banesë me 2 pistoleta.
NJOFTIMI I POLICISË:
Sarandë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 15:00, në lagjen nr. 4, Sarandë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se janë plagosur me armë zjarri shtetasit G. H., 32 vjeç dhe E. L., 24 vjeç, të cilët pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Sarandës, do të dërgohen drejt spitalit të Traumës, Tiranë, për mjekim të specializuar. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, po vijon punën për identifikimin e autorit, zbardhjen e e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje./ZËRI