DURRËS-Detaje të reja janë zbardhur nga konflikti i ndodhur i një dite më parë (24 korrik) në fshatin Shkallnur të Durrësit, ku një 36-vjeçar mbeti i plagosur me qytën e pistoletës. Një nga personat më të kërkuar nga SPAK, Denis Tafili u përfshi në konfklikt me Gjuzin, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri, por i shumëkërkuari arriti t'i ikte sërish Policisë.
Tafili raportohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me një 27-vjeçar i cili po ashtu është shpallur në kërkim nga Policia. Pavarësisht postblloqeve të ngritura nga policia, dyshja nuk është arritur të kapet. Denis Tafili, rezulton i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacioni 'Ura' për trafik kokaine dhe pastrim parash. Në maj të këtij viti Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për grupin me 24 anëtarë, pjesë e të cilit është dhe Tafili.
Sipas bluve, ngjarja ka ndodhur 'për motive të dobëta'. Në sherr u përfshi edhe një punonjës policie, inspektori L. Xh., “i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore”. Në vendngjarje, grupi hetimor ka sekuestruar një gëzhojë pistolete.
Nuk dihet ende motivi i konfliktit ndërsa, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 24.07.2026, rreth orës 15:00, Salla Operative e DVP Durrës është njoftuar se, në fshatin Shkallnur, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. Gj, 36 vjeç, është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit D. T., 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.
Gjithashtu, dyshohet se në konflikt ka qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektor L. Xh., i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete. Dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë.
Ndërkohë, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
