TIRANË- Aldo alias Elidon Avdyli, 37-vjeçari Shijakas, një emër i njohur në botën e krimit dhe i shpallur në kërkim nga autoritetet, u arrestua 2 ditë më parë në Tiranë. Ai strehohej në një apartament të marrë me qira pranë një kazinoje që ndodhet tek “Liqeni i Thatë”. Sipas informacioneve të policisë kriminale, qëndrimi i tij në këtë zonë nuk ishte pa qëllim. Avdyli strehohej në atë zonë me qëllim krijimin e një baze, për të krijuar më pas kushtet e kryerjes së një vrasjeje.
Por, si ra policia në gjurmët e tij? Si duket, një 'gabim' nga vetë ai, çoi në zbulimin e vendndodhjes dhe kapjen e tij. Bëhet fjalë për një gafë taktike që kishte bërë në fillim të muajit tetor 2025 vetë Aldo Avdyli. Konkretisht një telefonatë kërcënues, që sipas informacioneve të klasifikuara të siguruara nga gazetari Elton Qyno flasin se Aldo Avdyli ka kërcënuar në telefon nën/drejtorin e policisë Durrës, shtetasin Bujar Deliallisin. Kërcënimi mësohet të jetë kryer në periudhën kur SPAK kishte nxjerrë urdhër-arrestet dhe policia kriminale ka kryer kontrolle në Shijak dhe disa banesa me qëllim kapjen e Avdylit.
Për lokalizimin e Aldo Avdylit, policia kriminale ka përdorur paisjen përgjuese “IMSI Catcher”, një makinë elektrike izraelite, e cila është në gjendje të përgjojë dhe lokalizojë dhjetëra numra njëherësh. Pikërisht përmes kësaj paisjeje arrit të lokalizohet vendodhja e numrit që përdorte Aldo Avdyli dhe pozicionin e tij në mënyrë të saktë.
Aldo Avdylaj u arrestua në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi ishte shpallur në kërkim pas operacionit të SPAK më 2 tetor, ku u godit grupi i 'Rrumi i Shijakut' dhe fisi Avdylaj. Aldo i akuzuar si organizatori i grupit kriminal që ekzekutoi Ermir Bregun në vitin 2021 në Durrës, ishte fshehur në një apartament pranë Kopshtit Zoologjik.
Në lidhje me vrasjen e Bregut, në pranga është vendosur vetëm Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Loer Kume. Astrit Avdylajt masa e arrestit do i komunikohet në burg, pasi ndodhet në qeli edhe për operacionin “Revanshi”. Ndërsa Alfred Doka është shpallur në kërkim./ZËRI
