TIRANË-Forcat Operacionale kanë arrestuar Aldo (Elidon) Avdylajn në Tiranë. Nipi i Astrit Avdylaj ishte shpallur në kërkim pas operacionit të SPAK ku u godit grupi i 'Rrumit të Shijakut' dhe fisi Avdylaj. Aldo i akuzuar si organizatori i grupit kriminal që ekzekutoi Ermir Bregun në vitin 2021 në Durrës, ishte fshehur në një apartament pranë Kopshtit Zoologjik.
Në lidhje me vrasjen e Bregut, në pranga është vendosur vetëm Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Loer Kume. Astrit Avdylajt masa e arrestit do i komunikohet në burg, pasi ndodhet në qeli edhe për operacionin “Revanshi”. Ndërsa Alfred Doka është shpallur në kërkim.
Vrasja e Edmir Bregut
Fillimisht u raportua se ekzekutorët e vrasjes së Edmir Bregut, ishin Alfred Doka, i shpallur në kërkim, dhe Ermir Dedja, i cili rezulton i vdekur. Por teksa prej muajit shtator 2020 deri në janar 2021, nuk kishin arritur të lokalizonin shënjestrën, Elidon Avdylaj nipi i Astrit Avdylajt e mori përsipër vetë ekzekutimin. Sipas Aldos, ushtari i Avdylajve 'Boli' i kishte mashtruar dhe prej tre muajsh vetëm u kërkonte lekë. Pas ekzekutimit Aldo Avdylaj u fsheh në Lezhë.
Edmir Bregu apo Ilir Kuçi u qëllua me breshëri kallashnikovi sapo doli nga makina e tij luksoze në lagjen nr.16 të qytetit bregdetar. Ekzekutorët pritën momentin kur 32-vjeçari, me origjinë nga Hasi ka parkuar “Porsche Cayenen” në ‘bazën’ e tij, pranë shtëpisë së vjehrrit. Qitësi, i ‘sistemuar’ në sediljen e pasme të makinës me ngjyrë të zezë ka qëlluar me breshëri kallashnikovi, duke i marrë jetën. Në 2021 Edmond Bregu alias Ilir Kuçi ishte denoncuar shumë herë nga banorët e qytetit të Durrësit për kanosje.
Prona në këmbim të vrasjeve
Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi” i premtoi prona në bregdetin e Durrësit, Aldo Avdylajt që ky i fundit ta ndihmonte për të eliminuar kundërshtarët e tij, Platent Dervishajn, Lulzim Berishën dhe Edmond Koçin, i njohur si 'Mond Çekiçi'. Në bisedën e zbardhur 'Rrumi' i shkruan nipit të Astrit Avdylajt, Aldo Avdylajt se i pari në radhë duhet të jetë Lulzim Berisha, pastaj Mond Çekiçi dhe në fund Plarent Dervishaj./ZËRI



