MEMALIAJ- Projekti i ujësjellësit në Bashkinë Memaliaj, me vlerë 4.1 milionë euro, është aktualisht nën hetim nga SPAK, pas dyshimeve për parregullsi në tender. Sipas burimeve, hetimet lidhet me dyshime për shkelje të barazisë ne tender, paragullësi në procedurat e shpalljes dhe vlerësimit të ofertave, si dhe me mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
Bëhet fjalë për një projekt që parashikonte ndërtimin e Ujësjellësit Rajonal për 8 fshatra, konkretisht: Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahes si dhe për qytetin e Memaliajt. Tenderi i vitit 2021, me fond limit 4.1 milionë euro dhe me kohëzgjatje kontratë 24 mujore, për të cilin janë shpallur fitues kompanitë që nuk plotësonin kriteret teknike, “KEG” sh.p.k dhe “ED KONSTRUKSION” shpk. Lidhur me këtë, ish-kryetari i Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, së bashku me dy zyrtarë të tjerë janë marrë nën hetim, të akuzuar për "shkelje të barazisë në tendera publike.
Por, edhe pse çështja tashmë në dyert e drejtësisë, banorët e zonave të prekura, vijojnë të përballen me mungesë furnizimi nga rrjeti publik. Kjo pasi, sipas tyre, investimi nuk ka sjellë përmirësimin e premtuar. Në kushte të tilla ata kanë gjetur zgjidhje alternative.
Shumë familje janë detyruar të hapin puse individuale pranë shtëpive ose në tokat bujqësore, duke përballuar shpenzime të larta për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të pompimit. Ata theksojnë se problemi kryesor mbetet furnizimi i përditshëm me ujë, një nevojë bazë që duhet të ishte garantuar nga investimi milionësh.
Banorët e Anë-Vjosës shprehen të zhgënjyer, duke theksuar se situata vazhdon e njëjtë në këto kushte të vëshira, prej vitesh. Sipas tyre, po jetojnë në kushte që i krahasojnë me mesjetën, me disa që kanë hapur puse. Disa prej tyre janë tharë, nga disa nuk mjafton uji as për ta pirë, e të tjerë që detyrohen ta blejnë ujin larg nga zona e tyre.
Banorët janë shprehur për Syri Tv për vështirësitë e përditshme:
"Na kanë premtuar që po bëjnë punime për ujin pijshëm këtu nga Memaliaj, Tepelena.", shprehet një banor për Syri Tv.
"Kemi 14 vjet që kemi bërë këtu pusin dhe tani është tharë, dhe nuk na vjen ujë as për të pirë. E marrim në Tepelenë.", shprehet një banore.
"Fshati është problem për ujë të pijshëm. Vetëm me puse, i kemi hapur vetë.", thotë një tjetër banor i zonës.
Hetimi nisi pas kontrollit të lartë të Shtetit, i cili konstatoi shkelje të rëndë si në procedurën e prokurorimit ashtu edhe në zbatimin e kontratës. Për këtë çështje janë marrë të pandehur, ish-kryetari i Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci. Të pandehurit e tjerë janë: Edmonda Harizi, ish-nënkryetare e bashkisë, Feta Hoxha, ish-drejtor i Shërbimeve Publike si dhe Bersant Ylli, administrator i subjektit “Bersant Ylli”.
Sipas SPAK: "Pas analizës së dokumentacionit të procedurës së prokurimit, është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli dhe titullari i autoritetit kontraktor (Bashkia e Memaliajt), shtetasi Gjolek Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik."
Gjykata pritet të shqyrtojë dosjen dhe të vendosë mbi përgjegjësitë e individëve dhe kompanive të përfshira, duke përcaktuar autorët e mundshëm të parregullsive në tender dhe zbatimin e projektit./ZËRI