DURRËS- Projekti infrastrukturor "Lidhja e Currilave me rrugën 'Aleksandër Goga'" pritet të prekë banesat e 74 familjeve durrsake, banesat e të cilave do të shemben për t'i hapur rrugë ndërtimit të unazës. Të revoltuar dhe në kërkim të një zgjidhjeje të problemit të tyre, banorët e lages nr.7 dhe 8 kanë dalë sot në protestë, e cila është shoqëruar me tensione.
Banorët kanë protestuar para Bashkisë së Durrësit, ku kërkonin shpjegime për situatën. Pasi ndoqën kryetarin e Këshillit të qarkut, Alfred Mullaraj, ata ndaluan edhe kreun e IMT-së të Bashkisë së Durrësit, të cilit i kërkuan po ashtu shpjegime për situatën.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, banorët kanë tentuar edhe të hyjnë në mbledhje duke u përplasur me policinë.
“Nuk ka mbledhje, mos guxo. Dilni nga mbledhja. Duhet të ju vijë turp”, shprehet i revoltuar një qytetar.
“Po dalim nga shtëpitë”, janë shprehur ata ndërsa tentojnë të hyjnë brenda me forcë.
Visualizza questo post su Instagram
Protesta ka vijuar me tensione, pasi banorët kanë bllokuar për disa minuta rrugën përpara Bashkisë, ndërsa policia ka ndërhyrë për të shpërndarë qytetarët. Banorët shprehen të revoltuar, teksa kundërshtojnë edhe vlerën e shpronësimit, pasi sipas tyre, është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi.
Bashkia e Durrësit ka lajmëruar se më 16 shkurt duhet të largohen vullnetarisht nga banesa për të vijuar me realizimin e Projektit TID. Ndërsa banorët deklarojnë se nuk janë njoftuar më përpara lidhur me prishjen e banesave të tyre për shkak të projekteve.
Banorët kërkojnë nga bashkia që t’u sigurojë më përpara një shtëpi. Sipas bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik. Janë evidentuar 131 pronarë (privatë dhe shtet) për të cilët është caktuar vlera e shpronësimit./ZËRI