Aktualitet

Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, Kushtetuese mban sot seancë, PD paraqet argumentet

Mbledhja ka nisur që prej orës 10 të ditës së sotme, ku grupi i Partisë Demokratike, i përfaqësuar nga kryetari Gazment Bardhi dhe këshilltari Marash Logu, ka parashtruar argumentet se pse PD ka kundërshtuar ndryshimet.

zh.ll
Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, Kushtetuese mban sot seancë, PD
Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese po zhvillon sot një seancë publike për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Mbledhja ka nisur që prej orës 10 të ditës së sotme, ku grupi i Partisë Demokratike, i përfaqësuar nga kryetari Gazment Bardhi dhe këshilltari Marash Logu, ka parashtruar argumentet se pse PD ka kundërshtuar ndryshimet.

Sipas kësaj force politike, ndryshimet janë të njëanshme, referuar Partisë Socialiste, teksa kanë kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve. 

Sipas PD, vendimi për ndryshimin e Rregullores cënon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi reflekton një ndërhyrje flagrante të pushtetit ekzekutiv (kryeministrit) në kompetencën kushtetuese të pushtetit legjislativ (Parlamentit) për vetërregullimin e mënyrës së organizimit dhe funksionimit të tij.

PD kërkon:

(i) Shfuqizimi i vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.

(ii) Pezullimin e vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.

Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit janë miratuar në seancën e 16 shtatorit me 79 vota pro vetëm nga mozharanca socialiste. Njëri prej ndryshimeve kryesore, është ajo e komisioneve parlamentare, duke kaluar në 11 nga 8 që ishin më parë. Opozita i kundërshtoi në seancë ndryshimet e miratuara dhe i konsideroi "puç" kushtetues, propozimet e ardhura nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së PS-së. PD ka depozituar në Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të ndryshimeve të njëanshme të mazhorancës në Rregulloren e Kuvendit./ZËRI

Poll

MOS HUMB