
KORÇË- Policia e Korçës lajmëron se është arrestuar personi që hyri me forcë në një bankë të nivelit të dytë. Policia bën me dije se në pranga ka rënë 38-vjeçari Valter Xhelillari. Xhelillari ka dëshmuar se nuk mban mend asgjë nga ngjarja e ndodhur, ku pretendon se ka qenë në gjendje të dehur.
“Unë kam qenë në gjendje të dehur dhe nuk mbaj mend asgjë”, ka thënë ai.
“Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 21 dhjetor, në lagjen nr.3, Korçë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, ushtruan kontrolle të pandërprera për kapjen e autorit.
Pas identifikimit të autorit të dyshuar, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Policisë lokalizuan në lagjen nr.6 në Korçë dhe vunë në pranga shtetasin V. Xh., 38 vjeç, banues në Korçë.
Më datë 21.12.2024, rreth orës 22:05, 38-vjeçari ka hyrë me forcë në ambientet e një banke të nivelit të dytë, ku ka qëndruar për disa sekonda dhe është larguar menjëherë sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, pa marrë asgjë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ku 38-vjeçari u fut në një bankë të nivelit të dytë dhe qëndroi aty për disa sekonda, më pas u largua para se të shkonte Policia. Gjatë kontrollit, efektivët lajmëruan se ai nuk kishte vjedhur asgjë, ndërsa nga kamerat e sigurisë u konstatua se ai kishte në dorë një celular, me të cilin dyshohet se ka bërë foto ose video. /ZËRI