
KAKAVIJË- Dy persona janë arrestuar në Pikën Kufitare të Kakavijës, teksa po hynin në Shqipëri, pasi ishin shpallur në kërkim nga Gjykata e Tiranës. Mësohet se në pranga ka rënë një 26-vjeçar dhe një 46-vjeçar të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Sipas Policisë, 26-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa 46-vjeçari ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Si rezultat i verifikimit të shtetasve në hyrje/dalje dhe shkëmbimit të informacioneve me Stacionin e Policisë Memaliaj dhe me DVP Tiranë, Policia Kufitare në hyrje të RSH-së, u kapën dhe u ndaluan shtetasit e shpallur në kërkim: -D. D., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar këtë shtetas, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje", kryer në bashkëpunim.
-L. L., 46 vjeç, banues në fshatin Vasjar, Memaliaj, pasi Stacioni i Policisë Memaliaj e kishte shpallur në kërkim për veprën penale "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit", pasi kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprat penale "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal". Veprimet e tjera procedurale për këta shtetas do të kryhen nga DVP Tiranë dhe nga Stacioni i Policisë Memaliaj”, njofton policia. /ZËRI