Aktualitet

Mandarinat me pesticide, ministria e Bujqësisë: Gjoba dhe bllokim aktiviteti për shkelësit

Sipas Resulit, raporti i publikuar nga autoritetet kroate është i datës 20 dhjetor, ndërsa nuk ka asnjë veprim nga Ministria e Bujqësisë.

I.F
Mandarinat me pesticide, ministria e Bujqësisë: Gjoba dhe bllokim
Foto ilustruese

TIRANË- Kroacia ka ndaluar mandarinat e eksportuara nga Shqipëria pasi kanë konstatuar tjetër rast të pesticidit Clorpirifos. Lajmi u bë i ditur nga Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli, i cili publikoi të dhënat nga autoritetet kroate. Sipas Resulit, raporti i publikuar nga autoritetet kroate është i datës 20 dhjetor, ndërsa nuk ka asnjë veprim nga Ministria e Bujqësisë.

“Raste të reja me prezencë të clorpirifosit në mandarina shqiptare

Ende pa u mbyllur rezultatet e tre ngarkesave të para për praninë e clorpirifosit në mandarina, sistemi i alarmit RASFF në BE ka lëshuar përsëri njoftim më 20 dhjetor për ngarkesa të tjera me pesticide të larta në mandarina nga Shqipëria!

Ku është Ministria e Bujqësisë”?

Ministria ka për detyrë të mbrojë konsumatorin shqiptar dhe të sigurojë standardet e sigurisë ushqimore. Pse po vonohen analizat dhe nuk po publikohen rezultatet? A ka dikush interesa në Ministrinë e Bujqësisë që lejon popullatën shqiptare të konsumojë produkte me nivele të rrezikshme të pesticideve? Kjo situatë është një këmbanë alarmi për shëndetin e qytetarëve dhe për reputacionin e produkteve tona bujqësore. Institucionet përkatëse duhet të reagojnë menjëherë dhe të garantojnë që produkte të tilla të mos përfundojnë në tryezat tona”, shkruan Resuli.

Nga ana tjetër, ministria e Bujqësisë, përmes një deklarate u shpreh se janë asgjësuar mandarinat të cilat kishin pesticide, po ashtu do të merren masa administrative gjobë dhe bllokim aktiviteti për shkelësit.

"Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxit konsumin e produkteve shqiptare për festat e fundvitit dhe në vazhdim. Për vitin 2024 mbi 85% e prodhimit të mandarinave shqiptare është vjelë dhe është shitur në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar dhe në asnjë rast nga të gjitha kontrollet dhe analizat e kryera nuk kanë rezultuar me mbetje të pesticideve. Sot, kultivimi i mandarinave shtrihet në mbi 1,000 ha nga fermerë tregu dhe prodhues më të vegjël. Në lidhje me debatin mediatik për situatën e cilesisë dhe sigurisë së mandarinave shqiptare në vijim të komunikimeve të mëparshme në deklaratat zyrtare të Minsitrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sqarojmë publikun se:

Për vitin 2024 janë eksportuar nga kultivimi dhe të vjelat e mandarinës shqiptare 924 kamionë në tregun europian e mbarë botëror, nga të cilët vetëm 3 ngarkesa prej totalit janë konstatuar me parregullsi për mbetje dhe janë asgjësuar. Ky raport nuk duhet të dëmtojë mundin dhe djersën e një viti prodhimi të fermerëve shqiptarë dhe në të njëjtën kohë të krijojë shqetësim dhe panik tek konsumatori.

Sipas njoftimit të Sistemt të Njoftimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë – RASFF për mbetje të pesticideve në mandarina të eksportuara nga Republika e Shqipërisë, AKU ka marrë masa të menjëhershme për gjurmueshmërinë dhe veprimet proceduriale mbi subjektet eksportues duke marrë masa dhe veprime konkrete për të asgjësuar 20.482 kg Mandarine clementine, në datën 19.12.2024, në Qarkun e Fierit, ngarkesë e cila është kthyer mbrapsht nga shteti i Kroacisë. Procedura e asgjësimit është kryer sëbashku me praninë e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Drejtorinë e Tatimeve, si dhe me praninë e disa mediave të ndryshme.

Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në datën 19.12.2024, u kryen inspektime dhe evidentime të përbashkëta në Fshatin Mursi të Bashkisë së Konispolit, ku ushtron aktivitet kultivues një nga fermerët, i cili kishte asgjësuar produktin mandarinë. Për subjektet grumbulluese të rezultuara në shkelje të dispozitave ligjore, përveç se është kryer kallëzim penal, sipas shkeljeve, janë marrë edhe masa administrative gjobë, si dhe bllokim aktiviteti. Për ndjekjen e situatës në vijim, çdo ditë janë kryer inspektime të përbashkëta në qarkun Berat, Bashkia Dimal.

Informojmë konsumatorin lidhur me dy ngarkesat e tjera, të raportuara nga shteti i Kroacisë për mbetje të pesticideve sipas njoftimit të sistemit RASFF, se njëra është asgjësuar në shtetin Kroat, ndërsa tjetra nuk është kthyer ende në vendin e origjinës. Janë njoftuar të gjitha PIK që në rast kthimi të produktit, të bëhet bllokimi i menjëhershëm i tij me destinacion asgjësimin.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet në subjektet që tregtojnë Produkte të Mbrojtjes së Bimëve dhe Produkte Plehëruese, ku vetëm për këtë javë janë kontrolluar dhe verifikuar 46 subjekte tregtuese të PMB-ve, në të cilat nuk u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore. Vazhdojnë pa ndërpreje kontrollet në pikat e tregtimit, pikat e grumbullimit dhe magazinimit të fruta perimeve, ku përveç 18 mostrave të përcaktuara në planin e monitorimit të pesticideve për muajin Dhjetor, për produktin mandarinë, me qellim mbajtjen e situatës në kontroll, janë marrë edhe 7 mostra të tjera jashtë planit, për analizim në Laboratorin e Referencës – ISUV.

Inspektimi vjetor në territor nga AKU deri ditën e sotme kap shifrat 806 inspektime për tregtimin e pesticideve dhe 862 inspektime për produktet plehëruese. Për vitin 2024 janë analizuar 188 mostra gjithsej, nga këto për pesticide 28, nga të cilat 27 kanë rezultuar konform, kurse 1 është në proces analizimi. Për produkte plehëruese janë analizuar 160 mostra, nga të cilat 24 janë në proces analizimi, 134 kanë rezultuar konform dhe 2 mostra jo konform, për të cilat është ndjekur gjurmueshmëria dhe janë marrë të gjitha masat sipas legjislacionit në fuqi.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka të miratuar dhe në zbatim Planin e Veprimit për Përdorimin e Qëndrueshëm të Pesticideve, i cili përfshin të gjithë zinxhirin e veprimit me stukturat qëndrore dhe institucionet e vartësisë, pa përjashtuar mbështetjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës, si dhe prodhuesve shqiptarë. Qëllimi i këtij Planit i Veprimit, është përdorimi i duhur dhe i sigurtë i PMB-ve, për mbrojtjen e shëndetit të bimëve për të garantuar prodhim me cilësi dhe të sigurtë për konsumatorin, si dhe mbrojtjen e mjedisit ku përdoren.

Falë punës së strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural këtë vit territori i Republikës së Shqipërisë u mbrojt e u mbajt i pastër nga Sëmundja e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël, edhe pse vendet kufitare patën shpërthime dhe dëme kolosale. Janë menaxhuar menjëherë në mënyrë efikase dhe pa e dëmtuar situatën epizootike në vend, rastet e shfaqjes së Influencës Aviare dhe Murtajës Afrikane të Derrave.

Ndërkohë që ka vijuar puna e vazhdueshme për ndërgjegjësim për prodhimin e produkteve biologjikisht të pastra me anë të luftës biologjike, e cila vjen edhe me një nxitje fiskale lehtësuese. Përdorimi strikt i protokolleve dhe ndalimi i përdorimit të pesticiteve të ndaluara edhe në vendet e Bashkimit Europian është fakt. Kërkohet që edhe ata pak fermerë që tentojnë në mënyrë të paligjshme përdorimin e tyre të kuptojnë se kjo mënyrë ka vetëm një mundësi: zbulimin dhe vënien përpara ligjit pasi kontrollet dhe gjurmueshmeria është shumë e lartë. Fermerët shqiptarë, prodhuesit, grumbulluesit dhe eksportuesit duhet të bashkëpunojnë për të zbatuar praktikat më të mira bujqësore në të gjithë zinxhirin e prodhimit, deri tek konsumatori.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është transparente dhe ka të publikuar në faqen e saj zyrtare, listën e PMB-ve dhe etiketave të përdorimit, si dhe listën e produkteve plehëruese, të cilat përditësohen vazhdimisht duke i bërë të qartë fermerëve të mos përdorin produkte kontrabandë që janë të ndaluara në vendet e BE-së dhe në vendin tonë. Fermerët, çdo përdorues apo konsumator ka aksesin e mundëshëm për të marrë informacionin e plotë jo vetëm për përdorimin, por dhe pasojat nga keqpërorimi i tyre. Iu bëjmë thirrje që për çdo rast paligjshmërie, parregullsie apo abuzimi që konstatojnë të njoftojnë në numrat e publikuar në faqet zyrtare të MBZHR apo institucioneve të varësisë, për tu bërë pjesë e përgjegjësisë së përbashkët në garantimin dhe ruajtje e sigurisë ushqimore në vend", deklaron ministria e Bujqësisë. 

Të paktën 20 ton mandarina të eksportuara nga Divjaka në vendet e Bashkimit Evropian janë bllokuar dhe asgjësuar. Vende si Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania kanë bërë analizat dhe kanë vënë re se në ngarkesë ka mbetje të disa substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara për tregtim në BE. Po ashtu, disa ngarkesa janë ndaluar edhe në Kosovë, teksa janë duke kryer analizat mbi produktin.

Por, cilat janë efektet e pesticidit të ndaluar që u gjet tek mandarinat?

Kloperifosi dhe fosmeti janë dy llojet e pesticideve që janë zbuluar në mandarinat që vijnë nga Shqipëria. Kloperifosi nuk është një pesticid që aplikohet për herë të parë në bujqësinë tonë, përkundrazi ka dy hipoteza se përse mandarinat e Konispolit, Lushnjës dhe Beratit dolën të ngarkuara me këto kimikate.

Për shkak të përdorimit të klorperifosit në vitet e kaluara në këto territore mundet që këto mbetje janë përsëri në tokë ose ujë dhe kështu kalojnë në bimë, dhe një rrugë tjetër është qe fermerët të kenë përdorur këto pesticide në spërkatje. Bashkimi Europian, klorperifosin dhe fosmetin i ka hequr nga përdorimi përkatësisht në vitin 2022 dhe 2020, pasi u konfirmuar se këto dy preparatë kishin efekte negative në shëndetin e njeriut. Futja e këtyre dy pesticideve bëhet nëpërmjet rrugës së kontrabandës dhe shitet nën dorë nga farmacitë bujqësore. /ZËRI

Poll

MOS HUMB