TIRANË- Atentati ku mbeti i vrarë bashkëpunëtori i Emiljano Shullazit, Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani (Sheqeri), ka rrezikuar të gjithë zonën përrreth dhe qytetarët. Sipas dëshmitarëve, të shtënat kanë vijuar për mbi 30 sekonda, nga ku është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve të rastit që kanë qenë rreth bizneseve në këtë zonë, bar-kafe dhe lokale.
Breshëria e plumbave që u shkarkua në drejtim të "Benz"-it të bardhë ku udhëtonte viktima dhe i plagosur, ka prekur edhe xhamat e një hoteli fare pranë vendit ku ka ndodhur atentati, në rrethrrotullimin e Rinasit. Kryesisht plumbatkanë depërtuar deri brenda hollit të hotelit, duke dëmtuar fasadën e biznesit.
Grupi hetimor ende nuk ka zbardhur plotësisht ngjarjen, por po punohet për identifikimin e autorëve apo intenerarin që ato kanë ndjekur, si dhe të personave të mundshëm që kanë qenë në rolin e vëzhguesve.
Muçi Shaljani drejtonte automjetin tip “Mercedes Benz” kur drejt tyre u hap zjarr pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani 47-vjeç. Ky i fundit nuk i mbijetoi dot plagëve të marra./ZËRI