
TIRANË- Sot, rreth 27 mijë nxënës në të gjithë vendin do t'i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore 2025, pasi do të testohen në njohuritë e tyre në gjuhën e huaj. Provimi në rang vendi do të nisë që në orën 10.00 dhe do të zgjasë 2 orë. Testimi do të kryhet në rreth 145 klasa, ku mbarëvajtja do të sigurohet nga një përgjegjës për çdo qendër dhe administratorë të caktuar për çdo mjedis ku mbahet provimi.
Para se të futen në klasat e provimit, maturantët duhet të kenë me vete duhet të keni një mjet identifikimi, 2 stilolapsa, vizore të vogël dhe makinë llogaritëse të thjeshtë. Por duhet pasur parasysh që ndalohet rreptësisht përdorimi i celularëve apo i orave smart. Pasi të ketë përfunduar testi, për rreth 1 javë, nxënësit do të njihen me rezultatet duke kërkuar kodin e tyre unik në link-et që do të publikohen nga Ministria e Arsimit.
Në procesin e korrigjimit do të angazhohen mbi 640 mësues.
Në këtë ditë të rëndësishme, një mesazh e ka përcjellë edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një mesazh inkurajues për maturantët.
“Sot nis një moment shumë i rëndësishëm për ju, provimet e Maturës Shtetërore. Mbi 27 mijë prej jush, do të përballeni me një seri provimesh që nuk matin vetëm atë që keni mësuar, por edhe përkushtimin dhe mundin që keni treguar gjatë gjithë këtyre viteve të gjimnazit. Sot nisni me gjuhën e huaj. Më pas do të vijnë provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë më 10 qershor, matematika më 17 qershor, dhe më 24 qershor do të zhvilloni lëndët me zgjedhje. E vetmja gjë që kërkohet sot prej jush është të përqendroheni tek ajo që dini. Pjesa tjetër, organizimi dhe mbarëvajtja e maturës është përgatitur me shumë kujdes: nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, deri tek ekspertët e Qendrës së Shërbimeve Arsimore që për muaj me radhë kanë punuar për ta garantuar këtë proces si të drejtë, të sigurt dhe të besueshëm për të gjithë,”-tha Manastirliu.
Por edhe sot, siç ka ndodhur gjithmonë, tezat e provimit kanë "rrjedhur" në rrjetet sociale.
Katër provimet e detyruara të Maturës Shtetërore zhvillohen me një javë distancë nga njëri-tjetri. Pas Gjuhës së Huaj, më 10 qershor do të zhvillohet provimi kombëtar i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa më 17 qershor testi për lëndën e Matematikës. Më 24 qershor japin testin e fundit, atë të Lëndës me Zgjedhje, provim që tregon edhe orientimin e maturantëve që do të aplikojnë më pas për t'u pranuar në universitete. Pasi të ketë përfunduar faza e testimit, rezultatet e fundit në këto provime, sikundër edhe mesatarja e 3 viteve të gjimnazit do të jenë përcaktuese për të fituar një kuotë studimi në universitetet shtetërore dhe private në vend./ZËRI