Aktualitet

“Toyota Auris”, për kë po vinin paratë? Nis në Belgjikë gjyqi për dosjen e bujshme

Çështja daton që nga viti 2018, kur gati 3.5 milionë euro në para "cash" u zbuluan në dy automjete Toyota Auris që mbërritën nga Belgjika dhe që duhej të ankoroheshin në portin e Durrësit në Shqipëri.

k.m.
“Toyota Auris”, për kë po vinin paratë? Nis në
Foto ilustruese

BELGJIKË- Ka nisur në Belgjikë gjyqi për dosjen "Toyota Auris", pas sekuestrimit në Shqipëri të parave nga trafiku i drogës në Belgjikë. Rasti “Toyota” ka nisur të gjykohet para Gjykatës Penale të Brukselit që prej kësaj të hënë. Çështja daton që nga viti 2018, kur gati 3.5 milionë euro në para "cash" u zbuluan në dy automjete Toyota Auris që mbërritën nga Belgjika dhe që duhej të ankoroheshin në portin e Durrësit në Shqipëri.

Nuk ishte asgjë tjetër veçse një rast klasik i pastrimit të parave dhe një shembull tjetër i rrënjosjes së mafies shqiptare në tokën belge. Si nisi gjithçka? Më 13 qershor 2018, dy burra u nisën me një automjet të rëndë mallrash nga Shqipëria dhe mbërritën në Belgjikë tre ditë më vonë. Më 17 qershor, një shtetas shqiptar që jetonte në Belgjikë ngarkoi disa automjete Toyota dhe kamioni kaloi përsëri Evropën, duke kaluar nëpër Gjermani, Austri dhe Itali, ku hipi në një traget në portin e Barit, me destinacion portin e vogël të Durresit, në anën tjetër të Detit Adriatik.

Sipas medias belge "L'echo", shërbimi sekret shqiptar, i cili kishte informacione konfidenciale për mbërritjen e parave dhe njoftoi doganën e portit që kreu kontrollet. Gjatë zhdoganimit, ata zbuluan 3,366,700 euro dhe 80,000 franga zvicerane të paketuara në 106 pako të fshehura brenda dyerve të dy makinave Toyota Auris. 

Një avokat dhe prokuror u dënuan në Shqipëri

Çështja belge sapo ka filluar, ndërsa në Shqipëri janë dënuar me nga 4 vjet burg avokati shqiptar Radovan Çela — i cili po ndiqet penalisht edhe në çështjen belge-por edhe ish-prokurori i Vlorës, Aurel Zarka. 

Çfarë është çështja “Toyota Yaris”?

Kjo çështje është bërë si fillim publike nga asokohe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili akuzoi kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla si të përfshirë në marrjen e miliona eurove. Basha tha se në vendin tonë do të vinin 5 milionë euro, por në fakt në Portin e Durrësit u numëruan vetëm 3 milionë e 470 mijë euro. Deklarata e Bashës ndryshoi itinerarin pasi makinat që supozoheshin të niseshin nga porti i Ankonës, devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit drejt Durrësit. Balla e fitoi edhe gjyqin ndaj Bashës, i cili u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për shpifje.

Fillimisht për këtë dosje u arrestuan 6 persona, por të gjithë u liruan përveç Elvis Vladit dhe shoferit të kamionit Agim Ceka. Vladit iu dha vetëm një vit e gjysmë burg për veprën penale të mosdeklarimit të parave në kufi, duke sfumuar akuzën fillestare “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Për të njëjtën çështje është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg edhe Agim Ceka i cili u gjykua për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Çeka ishte shoferi i kamionit.

Por, belgët erdhën në Shqipëri dhe pritën për dy orë e 20 minuta ish-kryedemokratin Lulzim Basha, i cili u mor në pyetje nën cilësinë e personit në dijeni. Por nuk dihet nëse ish-kryedemokrati do të thirret sërish në Belgjikë për të dëshmuar në gjyq./ZËRI

Poll

MOS HUMB