Aktualitet

'TID' në Durrës! Banorët rikthehen në protestë dhe 'zbarkojnë' para Bashkisë: Po veprojnë në mungesë transparence

Mesditën e kësaj të marte, ata janë mbledhur para ambienteve të Bashkisë së Durrësit dhe kanë kërkuar një takim me kryebashkiaken Emirjana Sako, duke kërkuar transparencë mbi ndryshimet e mundshme në projekt.

zh.ll
'TID' në Durrës! Banorët rikthehen në
durres

DURRËS- Banorët e Durrësit, të prekur nga projekti 'TID' janë rikthyer në protestë, 3 muaj pas takimit me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Mesditën e kësaj të marte, ata janë mbledhur para ambienteve të Bashkisë së Durrësit dhe kanë kërkuar një takim me kryebashkiaken Emirjana Sako, duke kërkuar transparencë mbi ndryshimet e mundshme në projekt.

Ata kanë kërkuar takim me kryetaren për sqarime mbi zhvillimet e fundit të projektit 'TID' dhe kërkojnë të dinë nëse ka ndryshuar qasja nga “prishje” në “rikonstruksion” për disa objekte.

“Bashkia dhe institucionet po veprojnë në mungesë të plotë transparence. Flitet për një VKM të re që po kalon pa konsultim me ne. Flitet për ndryshim destinacioni nga prishje në rikonstruksion për disa objekte, por ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar”, u shpreh një arkitekte dhe banore e zonës.

Banorët shprehen se prej muajsh jetojnë në ankth dhe pa informacion të qartë për pronat e tyre, ndërsa pretendojnë se në projekt po bëhen ndryshime pa praninë e tyre.

“Ne nuk jemi as për shpronësim dhe as për prishje. Kërkojmë rikonstruksion dhe rishikim të projektit,” u shprehën ata.

“Ne nuk pranojmë asgjë, as lekë. Nga shtëpia ime nuk lëviz. Pse duhet të prishet shtëpia për një lulishte tre metra? A ka logjikë që disa objekte të rikonstruktohen e disa të shemben?”, tha një banore. 

Pasi nuk u pritën nga përfaqësues të bashkisë, banorët paralajmëruan se do të rikthehen sërish nesër para Bashkisë për të ngritur zërin mbi këtë projekt që cenon pronat dhe jetët e tyre.

Projekti i quajtur “TID, Transformimi i Integruar i Durrësit”, është një iniciativë që, sipas qeverisë, synon revitalizimin urban të zonës historike dhe është zhvilluar bashkërisht nga Qeveria, Bashkia e Durrësit dhe Fondacioni Shqiptaro‑Amerikan për Zhvillim (AADF). Qëllimi i këtij projekti është restaurimi i rrugëve, fasadave historike dhe krijimi i një hapësire turistike që integron monumentet arkeologjike me funksione bashkëkohore urbanistike.

Por për banorët e zonës, ky projekt nuk është vetëm një plan zhvillimi; ai është kërcënim real për shtëpitë, historinë familjare dhe vazhdimësinë e komunitetit autokton në këtë zonë.

Më 14 shkurt, kryeministri u takua me banorët, ndërsa pas takimit deklaroi se projekti nuk do të ndalet. Megjithatë, kryeministri deklaroi se do të rishikohen disa objekte me vlerë kulturore, si dhe premtoi rishikim të vlerës së shpronësimeve.

Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh. Banorët kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, pasi sipas tyre, është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi./ZËRI

Poll

MOS HUMB