Aktualitet

"Gjoks e kry, kapedan..."/ Akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit, ekstradohet nga Dubai Denis Bajri

Bajri ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza” pasi akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit.

F.I
"Gjoks e kry, kapedan..."/ Akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit,
Denis Bajri

TIRANË-Denis Bajroviç (Bajri) është personi i radhës që do të ekstradohet sot nga Dubai! Ndaj 37-vjeçarit, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për vrasje me paramendim në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje. Bajri ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza” pasi akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit. Ndaj tij rëndojnë 5 akuza të rënda të ngritura nga SPAK dhe që kanë të bëjnë me aktivitetin e grupit të Bajrave të Shkodrës.

Denis Bajri u arrestua në Emiratet e Bashkuara më 27 shkurt 2024. Në momentin e ndalimit nga efektivët, 37-vjeçari u prezantua me mbiemrin e dytë, Denis Brajoviç. Emri i tij doli në dritë nga përgjimet e zbardhura të aplikacionit "SkyECC", si pjesë e grupit Bajri në Shkodër. Bazuar në bisedat e grumbulluara nga kodi "B045ZY" në aplikacion, kanal që dyshohet se përdorej edhe nga Bajroviç, 37-vjeçari akuzohet për vrasjen e Gjin Ndoj Boriçit në Shkodër, më 9 Gusht të 2020-ës në Shkodër.

Biseda në SKY ECC:

Pas vrasjes së Boriçit, vetë Denisi i shkruan Behar Bajrit: Gjoks e kry, kapedan. Mu blloku, se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka... 

Ndërsa në mesazhet e tjera që janë shkëmbyer mes tyre, kuptohet se autorët e kanë kryer vrasjen për "llogari" të biznesmenit tashmë të zhdukur, Ervis Martinaj. Por nuk dihet shkaku pse Martinaj e donte të vrarë Ndojin. Ishte Gjoka më pas, që "pajtoi" Behar Bajrin në Shkodër për të kryer ekzekutimin. Ky i fundit edhe pse kërkoi vrasës nga jashtë për të kryer favorin, përfundoi duke dërguar të afërmin e tij. Ndërsa të nesërmen, i shkoi në varrim për t'i pirë kafen e ngushëllimit. Si shkëmbim për vrasjen e Boriçit, Martinaj do të hiqte qafe Kleant Musabelliun, por fatmirësisht kjo e fundit nuk arriti që të realizohej kurrë. Pas çkodimit të aplikacionit dhe operacionit "Metamorfoza", Policia e Shtetit kishte nisur gjurmimin e pjesëmarrësve në vrasje.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar D. B., 37 vjeç, shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale: "Vrasja me paramendim", kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve"; "Grupi i strukturuar kriminal"; "Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale"; dhe "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje", kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër./ZËRI

Poll

MOS HUMB