Aktualitet

Veliaj dhe bashkëshortja e tij zyrtarisht të pandehur! SPAK shkon në paraburgimin e Durrësit (VIDEO)

Bashkëshortja e Veliajt u mor e pandehur për tre akuza, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim parash.

F.I
Veliaj dhe bashkëshortja e tij zyrtarisht të pandehur! SPAK shkon
Erion Veliaj

TIRANË-Prokuroria e Posaçme pritet që sot të komunikojë zyrtarisht akuzat e ngritura ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Kjo e fundit u mor e pandehur për tre akuza, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim parash. Konkretisht Prokuroria e Posaçme e akuzon Xoxën për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Xoxa është lënë në masën “detyrim paraqitje” lidhur me dosjen Veliaj, ku rezultonte se ishte e përfshirë në skema abuzimesh me fondet publike.

Ndërkohë Veliajt, do t’i komunikohen tri akuzat e mësipërme si dhe futja e sendeve të paligjshme në qeli. Prokurorët e Posaçëm dhe agjentët e BKH janë paraqitur në paraburgimin e Durrësit, për t’i komunikuar akuzat kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Kryebashkiaku akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Një ditë më parë (22 korrik) kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pas 5 muajsh në paraburgimin e Durrësit. Ekipi ligjor i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas informacioneve se sot i komunikohen akuzat nga SPAK. Njoftimi i akuzës, sipas avokatëve, do t’i japë për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe të analizojë provat e prokurorisë.

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.

Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI

Poll

MOS HUMB