
ITALI- Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë ka proceduar penalisht në gjendje të lirë një shtetas 46-vjeçar, pasi publikoi në rrjetet sociale një video që shkel fshehtësinë e votimit. Shtetasi R. Z., me banim në Itali, akuzohet për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, pasi në profilin e tij në rrjetin “TikTok” ka shpërndarë një video të regjistruar gjatë momentit që plotësonte fletën e votimit.
Ky është rsati i dytë që një shqiptar procedohet në lidhje me shkeljet e rregullave sa i përket procesit të votimit nga diaspora. Një ditë më parë një 24-vjeçar me banim në Gjermani u procedua pas publikimit të fletës së votimit.
Vetë kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një nga konferencat për gazetarët ka theksuar se publikimi i votës është një vepër penale që dënohet nga ligji zgjedhor. Komisioneri u ka bërë thirrje partive politike që të mos inkurajojnë këto veprime te votuesit e tyre./ZËRI