TIRANË- I keni parasysh telefonatat që ju merrninë çdo orë të ditës, ditë jave apo fundjavë, ditë pune apo pushimi zyrtare dhe nga ana tjetër e celularit ju prezantohet një dyshek me ofertë, kremra e suplemente mrekullibërëse?!
Shumë shpejt, nuk do të ekzistojnë më. Të paktën, jo pa dëshirën tuaj.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit synon të krijojë një “regjistër të Komunikimeve Tregtare të Pakërkuara”, në të cilin do të regjistrohen të gjithë qytetarët që nuk dëshirojnë të marrin telefonata të tilla promocionale, të cilët pavarësisht se kur janë telefonuar herën e parë, kanë kërkuar që të fshihen nga lista, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ky regjistër do të administrohet nga Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale.
Por, pjesë e mesazheve e telefontave të padëshiruara do të jenë edhe mesazhet e telefonatat gjatë fushatave zgjedhore nga subjektet politike.
Në draftin e publikuar nga Report TV, thuhet se një hap i tillë vjen për shkak të shqetësimit dhe ankesave në rritje të qytetarët në lidhje me ‘telefonatat e pakërkuara’ për marketing në çdo moment.
“Regjistër i Komunikimeve Tregtare të Pakërkuara”, ose “Regjistri”, është baza e të dhënave e plotësuar nga administratori pas kërkesës të subjekteve të të dhënave personale, e konceptuar si një shërbim në mbrojtje të këtyre të fundit, të cilët, pavarësisht publikimit të të dhënave të tyre të kontaktit në një regjistër dhe/ose platformë publike të caktuar, nëpërmjet regjistrimit në Regjistër shprehin vullnetin e tyre të drejtpërdrejtë për të mos marrë komunikime tregtare të pakërkuara nga ofruesit e shërbimeve,”- thuhet në draft.
Në draft janë parashikuar edhe sanksionet që do të ndërmerren kundrejt kompanive që nuk do ta zbatojnë këtë ligj dhe do të vijojnë të shqetësojnë qytetarët që do të bëhen pjesë e këtij regjistri.
“Veprimet e kryera në kundërshtim me nenin 10 të këtij ligji, kur nuk përbëjnë kundërvajtje penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë: a) mos përmbushja e detyrimeve të parashikuara në shkronjën ‘c” dhe “j” të nenit 10, dënohet me 100.000 deri në 1.000.000 lekë; b) mos përmbushja e detyrimeve të parashikuara në shkronjën “e”, “f”, “g” dhe “h” të nenit 10, dënohet me 50.000 deri në 300.000 lekë; c) mos përmbushja e detyrimeve të parashikuara në shkronjën “j” dhe “k” të nenit 10, dënohet me 50.000 deri në 150.000 lekë,”- thuhet gjithashtu në draft.
Por cilat janë kompanitë që kryesojnë në tregun e telemarketingut në Shqipëri?
Qytetarët kanë sjellë pranë redaksisë së ZËRI-t emrat e disa kompanive që i kanë telefonuar.
Një prej tyre është “Red Group”, një kompani e administruar nga RediSataqë operon në treg që prej vitit 2018.
“RedGroup” promovon suplemente, rregullues posture, kremra të ndryshëm për kockat dhe jo vetëm si dhe pastrues ajri që eliminojnë gërhitjen.
Kompania e dytë është “Commerce Corp” një kompani që e ka nisur aktivitetin e saj në vitin 2011, dhe përmes “SHOPT TV” promovon produkte nga “BIOTE”, “BLUE LUNA” dhe “WOODY”.
Kjo kompani mbulon sektorin e mobilerisë dhe të dyshekëve.
Një tjetër kompani është edhe “Top Shop” që reklamon produkte nga “Dormeo”, “Kosmodisk”, “Delimano” e shumë të tjerë, përmes telemarketingut.
/ZËRI
