
TIRANË-Policia e Tiranës ka goditur një rast të trafikut të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë, ndërsa në pranga janë vendosur dy shqiptarë të Kosovës. Altin Pajaziti, 23 vjeç dhe Kadri Prushi, 53 vjeç u ndaluan në autostradën “Lezhë - Fushë Krujë”, teksa ishin nisur drejt Tiranës me qëllim shitjen e 2 pistoletave. Armët me vlerë afro 10 mijë euro u gjetën në automjetin me të cilin lëviznin dy të rinjtë. Gjatë kontrollit u sekuestrua dhe municion luftarak.
Burime bëjnë me dije se blutë kanë pasur informacion për ardhjen e tyre me qëllim trafikimin e armëve, dhe i kanë ndjekur që prej momenteve që kanë kaluar kufirin në Morinë dhe është ndërhyrë për arrestim në autostradë. Pistoletat janë prodhim i ri dhe dyshohet se kanë përfunduar në duart e 2 shqiptarëve të Kosovës prej trafikimit nga një vend në tjetrin.
Njëra prej armëve, prodhim belg, konsiderohet e veçantë dhe ka çmim relativisht të lartë, jo si të pistoletave të zakonshme. Kadri Prushi, rezulton të jetë dënuar me burg në Zvicër për trafik droge, ndërsa është i skeduar edhe për trafik armësh, nga vende të Europës, në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. 2 të arrestuarit gjatë marrjes në pyetje nuk kanë pranuar të tregojnë ku do i shisnin armët.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet pas hetimeve disamujore, operacioni policor i koduar “Suspend”.
Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova, me qëllim shitjen. Sekuestrohen 2 pistoleta dhe municion luftarak.
Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë të cilët dyshohet se i kanë trafikuar 2 pistoletat, me qëllim shitjen në Tiranë, me vlerë afro 10 000 euro.
Si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:
A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë - Fushë Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.