TIRANË-Pronarja e kompanisë “TIMEK” dhe sipërmarrësja shqiptare, Arjeta Puca ka reaguar në lidhje me akuzat e ish-zv.kryeministrit, Arbën Ahmetajt për përfshirjen në trafik armësh. Puca në një intervistë për 'Opinion' nuk ka patur asnjë koment për audi-përgjimet e bër apublike nga Ahmetaj, ndërsa ka folur për marrëdhënien e saj me biznesmenin amerikano-izraelit Ron Yeffet dhe partneritetin me kompaninë shtetërore KAYO.
Sipas saj, marrëveshja mes tyre parashikon një investim prej rreth 70 milionë eurosh. Puca tha se investimi ka nisur dhe se Yeffet ka sjellë projekte të tjera që, sipas saj, mund ta çojnë aktivitetin e kompanisë në vlera shumë më të mëdha në të ardhmen. Puca foli gjithashtu për investimin prej 15 milionë eurosh që TIMAK Defence duhet të realizojë.
Yeffet ka marrë 49% të aksioneve të TIMAK rreth një vit më parë. Ndërkohë, TIMAK dhe KAYO kanë krijuar kompaninë TIMAK Defence, e cila synon prodhimin dhe përshtatjen e automjeteve sipas nevojave të Forcave të Armatosura shqiptare. Në këtë kompani, KAYO zotëron 20% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër i përket TIMAK. E pyetur se përse i kishte shitur 49% të aksioneve Yeffet, Puca tha se synonte të rritej më shpejt dhe se kishte nevojë për një partner me eksperiencë dhe mundësi financiare.
Arjeta Puca: Ron Yeffet është ortaku im në Timak. Bashkëpunimi ka nisur nga një bashkëbisedim. Edhe për ne ishte e rëndësishme që të kalonim në kapacitete më të larta. Ne kemi filluar si start up dhe kishim të nevojshme që të rrisim, të bëjmë një prodhim më të madh në Shqipëri, këtu nuk ekziston një kompani si e jona. Jemi të parët. Vetë shteti ka nevojë për një kompani të tillë. Kishim qejf të rriteshim. Nuk kisha një njeri mbrapa që të ecja më shpejt si doja. Ron Yeffet ka një background të madh, është biznesmen i njohur. Ka dhe certifikatat e sigurisë nga shtetet e Amerikës dhe vende të tjera ku punon. Kemi qenë në një takim biznesmenësh edhe jemi njohur.
Ne kemi qenë në një takim biznesmenësh. Aty jemi njohur dhe kemi biseduar si mund të bashkëpunojmë bashkë. Ron Yefet do të investonte 70 milionë euro. Ka nisur dhe ka sjell projekte të mëdha. Në fund të vitit, ne do të kalojmë në miliarda, ju do e shihni. E pash në televizor përgjimin e Ronn Yeffet dhe nuk kam asnjë reagim. Nuk di çfarë të them për atë, kush do, mund të vijë të kontrollojë, ne jemi të hapur. Ne tani po prodhojmë kamiona taktike, makina taktike, zjarrfikëse. Prodhojmë për Shqipërinë tani, të gjitha. Ne marrim markat e huaja dhe përshtasim pjesën e shasisë dhe karrocerisë, sipas nevojave. Më vonë, do të prodhojmë dhe për eksport. Ne kemi biseduar me shumë shtete, por me Ukrainën për momentin nuk kemi komunikim. Kemi biseduar me shtete afrikane. Prodhojmë makina të blinduara, zjarrfikëse, klinika të lëvizshme.
Akuzat e Arben Ahmetaj
Ish-zëvendëskryeministri ka hedhur akuza të forta mbi mënyrën se si po funksionon industria e re ushtarake e ngritur nga qeveria, duke vendosur në qendër TIMAK Defence. Ahmetaj pretendoi se 80% e kompanisë zotërohet nga privati përmes TIMAK-ut, ndërsa shteti, përmes KAYO-s, ka 20%, ndërkohë që kompania ka përfituar para publike. Ai gjithashtu ngre pikëpyetje mbi aktivitetin e kompanisë. Ahmetaj pretendon se ka një aktivitet minima, me 14 punonjës dhe një kosto vjetore prej rreth 140 mijë eurosh.
“TIMAK Defence ka 14 punonjës, me një kosto prej 140 mijë euro në vit. Kjo kompani ka bërë vetëm 240 mijë lekë pajisje ushtarake. Kapitali i TIMAK Defence është negativ, pra Ron Yeffet nuk ka investuar asgjë, por ka futur tubin në buxhetin e shtetit për të thithur paratë e shqiptarëve. Ka marrë veç një tender 3.1 milionë euro dhe s’ka investuar asgjë”, deklaroi Ahmetaj.