Aktualitet

Trafikimi i qenieve njerëzore, raporti i KiE ngre shqetësime: 700 raste në Shqipëri! Viktimat ndëshkohen për prostitucion

Viktimat më të prekura janë vajzat, për shfrytëzim seksual.

F.I
Trafikimi i qenieve njerëzore, raporti i KiE ngre shqetësime: 700
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Në Shqipëri, fëmijët përbëjnë kategorinë më të ekspozuar ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, sipas raportit të fundit të Grupit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës për Veprimin kundër Trafikimit (GRETA). Sipas raportit viktimat më të prekura janë vajzat, për shfrytëzim seksual. Djemtë shpesh trafikohen për qëllime si lypja e detyruar apo kryerja e veprave kriminale.

Sipas raportit janë identifikuar zyrtarisht 28 viktima trafikimi në katër vite, ndërkohë që mbi 700 janë konsideruar si raste të dyshuara. Mes viteve 2020 dhe 2024, janë identifikuar rreth 450 raste të dyshuara. GRETA i rekomandon qeverisë shqiptare që këtyre fëmijëve t’u caktohen kujdestarë ligjorë dhe t’u ofrohet akomodim i sigurt. Shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve vuajnë nga mungesa e personelit dhe fondeve, duke ndikuar në aftësinë për të identifikuar dhe ndihmuar viktimat.

Aktualisht, janë 184 çështje për trafikim që ndodhen në hetim nga Policia dhe SPAK, prej të cilave 64 lidhen me trafikimin e fëmijëve. Vetëm 15 persona janë dënuar për trafikim në katër vitet e fundit.

Raporti ngre shqetësime edhe për mënyrën si trajtohen viktimat, ku shumë gra të trafikuara për prostitucion ndëshkohen në vend që të trajtohen si viktima. Mungojnë politika për ndihmën e grave që duan të largohen nga prostitucioni, si dhe masa për të ulur kërkesën për "shërbime" nga viktimat e trafikimit.

Sipas GRETA, mungojnë politika për rehabilitimin e grave që kërkojnë të largohen nga prostitucioni, si dhe masa konkrete për të ulur kërkesën për shërbime që burojnë nga trafikimi.

Në fund të vitit 2023, mbi 21 mijë të huaj kishin qëndrim të rregullt në Shqipëri, kryesisht për punë. Ndër grupet më të mëdha janë shtetasit italianë, turq, kosovarë dhe një numër gjithnjë në rritje i punëtorëve nga Filipinet, Bangladeshi, India dhe Nepali, sidomos në ndërtim. GRETA rekomandon që të rriten inspektimet në sektorët me rrezik të lartë dhe të garantohen të drejtat e barabarta për të gjithë punëtorët, përfshirë migrantët.

Edhe pse autoritetet shqiptare kanë miratuar ligje dhe plane kombëtare veprimi për luftën kundër trafikimit, raporti vëren se mungon ende një ligj gjithëpërfshirës për mbrojtjen e viktimave si dhe një institucion i pavarur për monitorimin e progresit./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB