KLOS- Një 66-vjeçar u mbyt mbrëmjen e djeshme në Klos, teksa po tentonte të kalonte lumin Mat. Për shkak se rrjedha ishte e fortë, trupi i pajetë i Xhemal Zhukut u gjet disa kilometra larg fshatit Fshat ku kishte tentuar të kalonte lumin.
Në kërkimin e trupit morën pjesë shërbimet e Policisë, familjarët e 66-vjeçarit, si dhe banorë të zonës, të cilët arritën ta nxirrnin nga lumi në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Njoftimi i Policisë:
“Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:00, është marrë informacion se shtetasi Xh.Zh., banues në fshatin Fshat, bashkia Klos, kishte humbur kontaktet me familjen e tij. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me familjarët, kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij.
Si rezultat, mëngjesin e sotëm, në rrjedhën e lumit Mat, në fshatin Fshat, u gjet trupi i pajetë i shtetasit Xh.Zh., 66 vjeç. Nga veprimet paraprake të kryera, dyshohet se 66-vjeçari, gjatë tentativës për të kaluar lumin, është marrë nga rrjedha dhe për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”/ZËRI