SHKODËR- Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 6 vite burg Erdgys Arrazin, bashkëshortin e Alma Arrazit, e cila u vetëvra bashkë me fëmijët në lumin Buna. Kjo për shkak se gjyqtari Orgent Nazaj e deklaroi fajtor Arrazin për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, atij i ulet 1/3 e dënimit dhe si përfundim do të vuajë 4 vite heqje lirie.
Sa i takon çështjes së tre fëmijëve për shkak se autorja e dyshuar e krimit, Alma Arrazi ka vdekur, çështja është pushuar.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Alma Arrazi u hodh në lumin Buna bashkë me fëmijët e saj më 2 maj. Trupat e dy vajzave dhe djalit janë varrosur pranë familjes të të atit në Shkodër, ndërsa e ëma e tyre prehet në Durrës pranë familjarëve të saj. Pas ngjarjes, Erdgys Arrazi u vendos në pranga pasi akuzohej se e kishte shtyrë 39-vjeçaren drejt aktit të vetëflijimit. Por që nga arrestimi i tij dhe deri më tani, 31-vjeçari ka mohuar të gjitha akuzat duke u mbrojtur me pretendimin se e shoqja vuante nga probleme të shëndetit mendor./ZËRI