GRAMSH- Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi, është regjistruar mesditën e sotme në aksin Kabash-Poroçan, në afërsi të fshatit Bardhaj, në Gramsh. Mësohet se një mjet tip kamion, ku udhëtonin 3 persona, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë.
Sipas informacioneve paraprake, në mjet udhëtonin një mësuese, një infermiere dhe drejtuesi i mjetit. Si pasojë e aksidentit, mësohet se ka humbur jetën infermierja Dëshira Hoxha, ndërsa mësuesja Albana Boja dhe drejtuesi i mjetit Shaban Kotorri kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
“Në aksin rrugor ‘Gramsh-Porocan’, kamioni me drejtues shtetasin Sh. K., 38 vjeç, ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i kamionit, shtetasi Sh. K., dhe shtetasja A. B., pasagjere, të cilët janë transportuar për në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa ka humbur jetën shtetasja D. H., 43 vjeçe, pasagjere në kamion. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nuk dihen ende rrethanat apo shkaqet e aksidentit, teksa paraprakisht dyshohet se rruga e vështirë dhe kushtet e terrenit mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit. Ndërkohë, forcat e policisë dhe shërbimet e emrgjencës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke kryer veprimet e nevojshme dhe duke nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit./ZËRI