
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për 9 persona, të cilët u morën të pandehur për kontrabandë mallrash, mosdeklarim të të ardhurave, pastrim parash dhe ushtrim pa licencë të aktiviteteve financiare. Bëhet fjalë për Sokol Idrizaj, ish-shoferin e Ardi Veliut, bashkëshorten e tij Elda Idrizaj, dy vajzat e tij, Egi dhe Bora Idrizaj, Agustin Mesulin, Altin Dodëmn, Florian Bakun, Vangjush Kasharra dhe Tomorr Barutin.
Sipas të dhënave hetimore, emri i Sokol Idrizaj shoferit personal të Ardi Veliut, ka dalë si pritës i disa çantave të dërguara nga Franca në drejtim të Shqipërisë. Ai dyshohet se priste çanta me sende me vlerë nga vajza e tij që studion dhe punon në Francë. Florinjtë dhe bizhuteritë dyshohet se janë grabitur nga shqiptarë në Francë dhe transportohen drejt Shqipërisë për tu shitur në treg të zi.
Pas shqyrtimit të dosjes së tyre GJKKO shpalli vendimin, duke dhënë dënime për të akuzuarit si më poshtë:
Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Florian Baku: 11 vite burg, me gjykim të shkurtuar 7.5 vjet.
Sokol Idrizaj dhe bashkëshortja Elda Idrizaj: 8 vite burg, me gjykim të shkurtuar 5.7 vjet.
Egi Idrizaj (vajza e madhe e Sokol Idrizaj): 7 vite burg, 4.7 vjet me gjykim të shkurtuar, dhe u aplikua pezullimi me shërbim prove.
Bora Idrizaj (vajza e vogël e Sokol Idrizaj): 2 vite burg, dhe u aplikua pezullimi me shërbim prove.
Vangjush Kasharra: U shpall pafajshëm për "fshehje të të ardhurave".
Tomorr Baruti: 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar 1.4 vjet, dhe u aplikua pezullimi me shërbim prove.
Në maj të vitit të kaluar, Sokol Idrizaj, bashkëshortja e tij Elda Idrizaj, dhe dy vajzat e tyre u vunë nën akuzë nga SPAK, pasi dyshohen si anëtarë të një grupi kriminal. Në kuadër të këtij procedimi në total u arrestuan 12 persona. Këta persona dyshohet se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti francez drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes argjendarisë së shtetasit Vangjush Kashari që ka dyqanin qendror në Tiranë.
Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724.386 euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, ndërsa shumat në kesh të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme kapin vlerën e 2.1 milionë eurove dhe 35.000 franga./ZËRI