
TIRANË-Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar auditimin e doganës së Rinasit, ku ka evidentuar një dëm të buxhetit të shtetit prej miliona lekësh gjatë harkut kohor 01.07.2022 deri më 31.12.2024.
Auditimi ka zbuluar një sërë parregullsish në vlerësimin e mallrave, zbatimin e TVSH-së, procedurat doganore dhe administrimin financiar, të cilat kanë sjellë humbje të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Sipas raportit rezulton se me mallrat që është abuzuar dhe toleruar më shumë duke shkaktuar dëm ekonomik për të cilin sipas KLSH-së në dijeni është edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, janë pajisjet mjekësore si dhe telefonat celularë.
Në raport thuhet se grupi i auditimit ka konstatuar 13 gjetje dhe ka dhënë 13 rekomandime, për masa organizative 8 rekomandime. Nga auditimi rezultoi se për vitin 2023, në 6 raste është konstatuar përjashtim i padrejtë nga pagimi i TVSH-së në import me pasojë të ardhura të munguara për TVSh dhe sanksionet në vlerën 3-fish të detyrimit, në total në vlerën 11,689,144 lekë, si dhe për vitin 2024 në 6 raste në vlerën totale 22,574,568 lekë.
Konkretisht në dokument thuhet se gjatë vitit 2023 në Degën Doganore Rinas për artikujt e këtij kapitulli janë përpunuar 275 deklarata me vlerë të deklaruar 603,796,236 lekë dhe kanë rezultuar 8 deklarata të përpunuara në procedurat e ndjekura për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore me mangësi. Efekti financiar i përllogaritur rezulton 1,639,480 lekë e cila përbën të ardhura të munguar në Buxhetin e Shtetit.
Gjatë vitit 2024 në Degën Doganore Rinas për artikujt e këtij kapitulli janë përpunuar 279 deklarata me vlerë të deklaruar 559,180,777 lekë dhe kanë rezultuar 5 deklarata të përpunuara me mangësi. Efekti financiar i përllogaritur rezulton 827,186 lekë e cila përbën të ardhura të munguar në Buxhetin e Shtetit. Të ardhurat e munguara në total në shumën 2,466,666 lekë janë konstatuar pasi në këto deklarata nuk janë përfshirë mallrat me skonto, duke mos zbatuar dispozitat ligjore të
parashikuar në nenet 66-70 të Kodit Doganor si dhe udhëzimit nr. 3 datë 23.01.2018 të MFE “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore”.
-Janë konstatuar raste ku për disa subjekte vlerat e artikujve të importuar është trajtuar me transaksion, edhe pse dokumentacioni bashkëlidhur nuk i plotëson kushtet për t’u trajtuar si i tillë; i njëjti subjekt për të njëjtin artikull të importuar në shumë raste është rivlerësuar dhe për raste të tjera jo; trajtimi i mallrave të përdorur me transaksion nën çmimin e lëndës së parë; veprime jo në përputhje me kërkesat e legjislacionit doganor duke rezultuar me të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit në shumën 46,763,697 lekë.
Për periudhën 2023–2024 janë evidentuar 39 raste në të cilat janë bërë vlerësime të gabuara për smartphonë me kod tarifor 85171300, duke mos respektuar metodat dhe dokumentacionin përkatës. Si rezultat, janë llogaritur 9,043,218 lekë të ardhura të munguara për shtetin.
-Mospërfshirja e mallrave me skonto në vlerën doganore
Në deklaratat doganore për mallra të kapitullit 12 janë konstatuar 13 raste me mangësi, ku nuk janë përfshirë zbritjet (skontot) në vlerën e deklaruar, duke shkelur Kodin Doganor. Humbjet për buxhetin kapin vlerën 2,466,666 lekë.
-Në 6 raste janë konstatuar shkelje të klasifikuara gabimisht dhe janë vendosur penalitete jo në përputhje me nenet përkatëse të Kodit Doganor. Kjo ka rezultuar në mungesë penalitetesh në shumën 272,212 lekë.
-Procesverbalet e hartuar nga dogana për shkeljet nuk përmbajnë referenca të qarta për nenet e shkelura, sanksionet dhe dokumentimin e njoftimeve për palët. Këto mangësi bien ndesh me nenet 273–276 të Kodit Doganor.