
TIRANË- Sot janë organizuar dy protesta në Tiranë nga familjet e dy viktimave të mitura, ajo e Martin Canit dhe e 12-vjeçarit që humbi jetën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Babai i 12-vjeçarit, Martin Cani organizoi një protestë para shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, në vendin ku u vra i mituri pas një sherri, nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshi. Tubimit iu bashkua edhe babai i 12-vjeçarit Luis Meçe, i cili gjithashtu mbeti i plagosur nga ky sherr. Familjarët e viktimës dhe qytetarë të tjerë vendosën lule dhe ndezën qirinj para ambienteve të shkollës, 3 muaj pas krimit që tronditi vendin.
Pas kësaj, ata iu bashkuan protestës që po mbahet para Ministrisë së Shëndetësisë nga familja e të miturit nga Maliqi që ndërroi jetë në QSUT.
Motra e 12-vjeçarit ka mbajtur një fjalim para ambienteve të instuticionit, ku është shprehur se vëllain e vranë mjekët. Ajo u shpreh se për shkak të neglizhencës së mjekëve, i mituri ndërroi jetë. E motra e të ndjerit tha se nuk do të ndalet deri sa të vendoset drejtësia.

“Vëllai im ndërroi jetë, teksa disa mjekë nuk dinin të bënin punën. Mjekësia shqiptare më vrau vëllanë. Ata pa pikë mëshire vendosën ta vrisnin. QSUT nuk i bëri asnjë ekzaminim, ata dalin me pretendime të rreme. Ata nuk i kanë bërë një eko zemre, një skaner, një matje tensioni, si i bëjnë ato betime ata. Dhe sa fëmijë të tjerë do vriten si vëllai im? Prokuroria hesht dhe prindërit e mi vetëm qajnë. Nuk do të ndalem derisa për vëllanë tim të gjej drejtësi. Ata e vranë Leon, nuk bënë asgjë. Mjekët nuk bënë asgjë. Si mund ta lësh një nënë pa bir, ku do të rritemi ne në këtë Shqipëri. I lënë fëmijët të vdesin, kjo është Shqipëria. Kur ky shtet do kujdeset për fëmijët?”, tha ajo.
Nëna e të ndjerit ishte gjithashtu në protestë, e cila bëri thirrje të vendoset drejtësia për djalin e saj. Ajo akuzoi mjekët e Tiranës se e neglizhuan dhe nuk e lajmëruan për gjendjen e tij të rëndë shëndetësore.
“Unë jam mami i Leos dhe për Leon tim do luftoj deri në fundin e ditës sime të jetës. Askush nuk u kujdes për Leon tim. Nuk iu bë asgjë Leos tim, për 12 orë asgjë s’bënë. Le të më thonin ccoje jashtë, jo s’ka asgjë. Më thonin nesër do të bëhet mirë, ku është nesër djali im? Djali u fut në dhe. Le të më dali para dhe të më thojë do të bëhet mirë. Ishte plot me endrra që ja ndërpretë jetën në mes. Ishte trim i vogël, luftoi shumë për jetën e tij, për një palo mjeke, që e ka emrin Jorgji, e ka lënë në mëshirë të fatit djalin tim. E ka lënë 7 orë duke vjellë, vetëm me një serum me ujë. Vetëm ma futën djalin në dhe, a ke fëmijë ti, mban përgjegjësi për atë që më ke bërë mua? Ti palo mjeke e të tjerë të Tiranës, nuk e dini çfarë krimi keni bërë, çfarë fëmije keni vrarë?!
Nuk e solla Leon në Tiranë për të ma vrarë, e kur po jepte shpirt në krahët e dajës së tij, atëherë kutjohet palo Jorgji, dhe kur leo ishte në fund, eja më tha. Iku pa pikën e humanizmit e turpit. Ministria ku është, çfarë fëmijësh përkëdhel ti, kur ma përkedhele Leon tim, ma dogje djalin, ma përvëluat djalin", tha nëna e tij.
Prokuroria të mos e neglizhojë rastin e Leos, jam e gatshme për çdo gjë për Leon tim, e kam rritur me sakrifica të mëdha. Prokuroria t’i përshpejtojë kërkesat që kemi bërë, jam një nënë e përvëluar, m’u përvëlua shpirti që ka ikur me Leon tim, me të vocklin tim…Ajo palo doktoreshë tha s’ka gjë, Leos i nxiheshin duart e ajo i thoshte e ka nga të ftohtët. E paaftë, ia them edhe në sy këto gjëra. Veshin rrobat e bardha kur si meritojnë. Me lekë i keni veshur ato rroba të bardha? Pres që drejtësia të vendosë për Leon, mami do vendosë vetë drejtësi për Leon e vet. Do luftojë për Leon e s’do lodhem kurrë, ia kam premtuar deri në momentin e fundit”, tha nëna e tij.
I mituri nga fshati Pocestë i bashkisë së Maliqit pasi ishte ndjerë keq, ishte dërguar për t'u trajtuar pranë spitalit rajonal të Korçës, por duke qenë se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar, e sollën në Tiranë. Pas pretendimeve të familjarëve, ka pasur edhe një reagim nga QSUT. Sipas tyre, djali ndërroi jetë në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pra, jo në pavionin ku pretendojnë familjarët. Ndërsa po sipas tyre, pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut.
Ndërsa, Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Nga ana tjetër, Mario Përlleshaj vazhdon të mbahet në burgun e të miturve. Ai akuzohet nga Prokuroria për "vrasje në rrethana cilësuese ndaj një të mituri”, një krim për të cilin ligji parashikon dënimin jo më pak se 20 vjet ose burgim të përjetshëm./ZËRI