TIRANË-Një shpërthim me tritol ka ndodhur pas mesnate në Tiranë. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 03:50, në rrugën “Peti”, ku sasia e eksplozivit ishte vendosur në portën hyrëse të garazhit të Elvis Kosovës. Si pasojë e shpërthimit fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, vetëm dëme materiale.
Lënda plasëse është vendosur nga një person i maskuar, i cili pasi e ka lënë është larguar nga vendngjarja në këmbë. Nga fuqia plasëse janë dëmtuar 4 makina të parkuara afër, jashtë garazhit. Para hetuesve, Kosova ka deklaruar se nuk ka asnjë problem me njeri dhe nuk dyshon te asnjë person.
Kush është Elvis Kosova
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Elvis Kosova është pronari i ‘Mel Construction’, që ka për objekt të aktivitetit të tij, shitjen dhe blerjen e pjesëve të ndryshme për makina. 39-vjeçari është emër i njohur për Policinë. I njohur ndryshe si "Visi i garave", apo "Visi i makinave të shpejta", ai u vendos në pranga në gusht të vitit 2024 së bashku me një shtetas turk, pasi kishin ngritur një skemë mashtrimi, për përvetësimin e një mjeti audi luksoz, me vlerë rreth 200 mijë euro, të cilin e kishin marrë me qera në Gjermani.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 03:50, në rrugën “Peti”, dyshohet se në portën hyrëse të garazhit të shtetasit E. K., 39 vjeç, është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa automjete, të parkuara.
Grupi hetimor ka administruar pamjet filmike nga vendngjarja dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI



