Aktualitet

Trupit i mungojnë organet/ Si u masakrua italiani nga 'Trita Hospital'

Mbi një muaj tashmë nga ndarja nga jeta e biznesmenit italian, ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tij.

F.I
Trupit i mungojnë organet/ Si u masakrua italiani nga 'Trita
Massimo Ferro

TIRANË-"Biznesmeni italian Massimo Ferro, 54-vjeç, nga Camposampiero, ka ndërruar jetë në Shqipëri më 22 dhjetor, pas një operacioni për ngushtimin e stomakut"-ky ishte lajmi i raportuar tre ditë më parë nga mediat në shqipëri. Por pas ndëryrjes për një ngushtim stomaku (metodë dobësimi), ky organ mungon në trupin e pajetë të biznesmenit italian! 

Një operacion i ofruar në Tiranë, 4,400 euro, çmim shumë më i ulët se afërsisht 15,000 euro të kërkuara në Itali dhe një ndërhyrje me pasoja deri në vdekje nga 'Trita Hospital', shkaku i të cilës ende nuk dihet. Ekzaminimi pas vdekjes është i pamundur, pasi disa organe u hoqën gjatë autopsisë në Shqipëri dhe janë ende në laboratorin e mjekësisë ligjore në Tiranë. 

Çfarë ndodhi mes 18 dhjetorit deri në 22 dhjetor?

Ndërhyrja për ngushtim stomaku u krye më 18 dhjetor. Pacienti, i diagnostikuar me diabet tip II dhe me peshë 108 kilogramë, kishte marrë vetëm udhëzimin të mos ushqehej natën para ndërhyrjes. Më 20 dhjetor iu shfaqën ethet dhe temperaturë deri në 38 gradë. Më 21 dhjetor, me temperaturën që kishte arritur 39 gradë dhe me vështirësi të rënda në frymëmarrje, Ferro u dërgua në urgjencën e spitalit publik “Nënë Tereza” në Tiranë dhe është rikthyer sërish në klinikën private. Në mëngjesin e 22 dhjetorit, Massimo Ferro pësoi një arrest brenda klinikës dhe  u transportua me ambulancë në repartin e reanimacionit të spitalit publik, ku humbi jetën.

Sipas kallëzimit të familjes, nga klinika 'Trita Hospital' nuk ka pasur një program paraprak dietik, asnjë vlerësim multidisiplinar dhe asnjë përgatitje specifike para operacionit. E vetmja këshillë e dhënë ishte që pacienti të qëndronte esëll që nga mbrëmja para ndërhyrjes.

Askush nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë përfundimisht shkakun e vdekjes

Mbi një muaj tashmë nga ndarja nga jeta e biznesmenit italian, ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tij. Disa organe, mes tyre stomaku u hoqën gjatë autopsisë në Shqipëri dhe janë ende në laboratorin e mjekësisë ligjore në Tiranë. Mjeku ligjor në Padova do të duhet të presë përfundimin e analizave nga kolegët e tij në Tiranë dhe më pas të kërkojë, përmes një letër porosie, dorëzimin e dokumentave të nevojshme për të kryer vlerësimin e tij, e më pas t’i dorëzojë në prokurori. Në këto kushte autopsia ndodhet pezull, ekzaminimi nuk zbuloi ndonjë shkak specifik të vdekjes së burrit. Trupi i pajetë i biznesmenit me organet mangut pritet t’u dorëzohet sot familjarëve për të kryer funeralin. 

Në lidhje me ngjarjen prokurori i Padovës, Andrea Girlando, ka regjistruar si të dyshuar kirurgun Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia. Por teksa një hetim ka nisur nga autoritetet italiane në Shqipëri ende nuk dihet si po procedohet rasti dhe nëse një hetim ka nisru për klinikën private në kryeqytet./ZËRI

Poll

MOS HUMB