TIRANË- Një efektiv të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, është pezulluar nga detyra, pas publikimit të videos ku ai shfaqet duke goditur me grusht një qytetar të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Tiranë, në Rrugën e Durrësit.
Pas publikimit të pamjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, urdhëroi menjëherë pezullimin e efektivit, inspektor J. H. Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor ndaj tij. Hetimi do të fokusohet te përdorimi i dyshuar i paligjshëm dhe i pajustifikuar i forcës.
View this post on Instagram
Reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje ku shfaqet një punonjës policie, i cili godet me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit, Tiranë, pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi.
Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj.
Bëhet fjalë për një episod të regjistruar paraditen e sotme pranë rrethrrotullimit të Zogut e Zi, pasi një grup protestuesish u mblodhën në tubim, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Forcat e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe ka larguar protestuesit, ndërsa shoqëruan disa protestues pranë gjimnazit "Qemal Stafa". Gjatë shoqërimeve, një efektiv i forcave Shqiponja, goditi me grusht në bark një protestues që ishte ndaluar nga blutë. Pamjet e icidentit u përhapën me shpejtësi në rrjete sociale, çka solli dhe pezullimin e efektivit./ZËRI
