BRUKSEL- Federica Mogherini, Rektore e Kolegjit të Evropës dhe ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, e cila u arrestua dje si pjesë e një hetimi për mashtrim që përfshinte Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Kolegjin e Evropës, u lirua mbrëmë, rreth orës 1 të mëngjesit. Gjithashtu u liruan edhe dy të ndaluarit e tjerë, Stefano Sannino dhe Cesare Zegretti, kështu ka njoftuar Zyra e Prokurorit Publik Evropian, e cila po udhëheq hetimin, raporton La Repubblica.
Akuzat përfshijnë mashtrim në prokurim dhe korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional, por të tre u liruan sepse "nuk u konsideruan si rrezik për arratisje".
"Pasi u morën në pyetje nga Policia Federale Gjyqësore Belge, të tre individët u informuan zyrtarisht për akuzat kundër tyre. Akuzat kanë të bëjnë me mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ata janë liruar pasi nuk konsiderohen rrezik përarratisje", informuan gjyqtarët.
Dyshimi për favorizim dhe konkurrencë të padrejtë
Hetimi ka të bëjë me akuzat për favorizim dhe konkurrencë të mundshme të padrejtë në dhënien nga EEAS të një programi trajnimi nëntëmujor për diplomatët e ardhshëm evropianë për Kolegjin e Evropës.
Faktet e kontestuara datojnë që nga periudha 2021-2022 dhe krimet e dyshuara, sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, janë potencialisht "mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje e sekretit profesional".
Ish-shefja e diplomacisë së BE-së dhe aktualisht rektore e “Kolegjit të Europës”, Federica Mogherini, undalua në Bruksel si pjesë e një hetimi për mashtrim dhe korrupsion që përfshin një program trajnimi të diplomatëve europianë. Përveç Mogherinit në pranga janë vendosur edhe dy zyrtarë të tjerë.
Stefano Sannino, sekretari i përgjithshëm i shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së midis viteve 2021 dhe 2024 dhe tani drejtor i përgjithshëm i Komisionit Evropian, ishte një tjetër nga të arrestuarit. Sannino, një ish-diplomat italian, ishte nëpunësi më i lartë civil në EEAS dhe aktualisht është drejtor i përgjithshëm për departamentin e Lindjes së Mesme, Afrikës së Veriut dhe Gjirit në Komision.
Personi i tretë në paraburgim në lidhje me hetimin është Cesare Zegretti, bashkëdrejtor i zyrës ekzekutive të arsimit, trajnimit dhe projekteve të Kolegjit të Evropës. Gjatë arrestimeve Policia kontrolloi Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Kolegjin e Europës lidhur me dyshimet për korrupsion në krijimin e një akademie trajnimi për diplomatët.
Përveç në Belgjikë 'Kolegji i Europës' ka degë edhe në Warshavë dhe Tiranë. Kampusi në Tiranë është hapur më 2024. Të tre kanë marrë pjesë në takime dhe evente të mbajtura në Shqipëri. Në nëntor të këtij viti, ishte hera e fundit kur rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë zhvilloi një vizitë në Shqipëri. Mogherini mori pjesë në hapjen e vitit të dytë akademik 2025-2026, theksoi rëndësinë strategjike të pranisë së këtij institucioni në Shqipëri, si një investim i drejtpërdrejtë në zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe përgatitjen e diplomatëve të rinj evropianë./ZËRI