
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur masën "arrest me burg" për Voltan Xhanin. Vendimi, i marrë nga trupi gjykues me gjyqtar Erjon Bani, vjen pas një kërkese të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Në një shkresë zyrtare, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është drejtuar GJKKO-së për “rivlerësimin e masës së sigurimit" për vrasjen e Elis Rroshkodolit në Shkodër.
NJOFTIM PËR MEDIAT:
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 03.06.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Rivlerësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Voltan Xhani, fillimisht me vendimi nr. 632 (3706), datë 08.09.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjishëm Shkodër, e verifikuar me vendimin nr. 309 (1777), datë 25.05.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjishëm Shkodër, e cila ka shpallur moskompetencën lëndore të saj, po në këtë datë.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 88, 112 dhe 238 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 59, datë 05.06.2025, vendosi: 1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Voltan Pertrit XHANI, me vendimin Nr. 632 (3706), datë 08.09.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjishëm Shkodër, e verifikuar me vendimin Nr. 309 (1777), datë 25.05.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjishëm Shkodër. 2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Voltan Xhani, është një nga personat e arrestuar për vrasjen e Elis Rroshkodolit, i cili u ekzekutua më 30 gusht 2024. Dosja, e cila u hetua nga Prokuroria e Shkodrës, i ka kaluar SPAK-ut për verifikime të mëtejshme, për shkak të dyshimeve për grup të strukturuar kriminal. Për vrasjen, aktualisht në pranga kanë përfunduar Xhani dhe Xhulio Malo, ndërsa në kërkim janë dy të tjerë, që janë identifikuar me inicialet: J.Xh. dhe D.M.
Voltan Xhani ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Shkodrës që prej shtatorit të vitit 2024, por u arrestua vetëm pak javë më parë nga forcat RENEA në Durrës. Ai u kap duke darkuar me disa persona të tjerë të shpallur në kërkim, mes tyre Flobenc Gega dhe Xhevdet Plaku./ZËRI