KSAMIL-Bregdeti i Ksamilit u tronidit mëngjesin e 18 gushtit nga një ngjarje e rëndë ku një turist 20-vjeçar, Luis Miguel Varela Mendez (i identifikuar si shtetas i huaj, fillimisht i raportuar si francez apo portugez) u gjet i vrarë në shezlongët e plazhit Principotes. Autori i dyshuar i vrasjes së turistit, truproja i Principotes, Sokrat Vata u arrestua disa orë pas konstatimit të trupit të pajetë në Levan të Fierit. Vata ishte fshehur në bagazhin e një makine, tip Ford, që drejtohej nga një shtetase turke 31-vjeçare, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, po shtetas turk.
Dy shtetasit turq kanë deklaruar se ishin klientë të përhershëm në lokalin “Principotes” dhe se e paguanin 29-vjeçarin si bodigard e shoqërues personal. Dy shtetasit turq kanë sqaruar se e kishin marrë Vatën në automjet thjesht për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin krijuar me të.
Teksa orët kalonin Policia zbardhi dinamikën e ngjarjes dhe rezultoi se turisti fillimisht u dhunua fizikisht nga kamarierët dhe më pas u godit për vdekje me thikë. Konkretisht Policia e Shtetit sqaroi se konflikti ka nisur më herët dhe bashkë me Vatën, ka qëlluar edhe David Heurtevent, i cili e ka rrahur me grushta, ndërsa Vata e ka qëlluar me thikë.
Po ashtu, 4 kamarierë kanë qëlluar me grushta 20-vjeçarin para se Sokrat Vata ti merrte jetën dhe janë larguar. Policia njofton se janë arrestuar 11 persona, mes tyre edhe 4 truproja që nuk kanë reaguar dhe as kanë njoftuar Policinë. Bekim Bulica, pronari i Principotes ka qenë prezent dhe nuk ka njoftuar Policinë. Sokrat Vata dhe David Heurtevent i shpallur në kërkim akuzohen për vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim.
U arrestuan:
Sokrat Lipan alias Sokrat Vata
Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, të dy me shtetasi turke
Serxhi Selimi,
Ervis Bunci,
Ildi Cekani
Murat Zhabina
Miosid Matushaj
Luciano Seferi,
Romeo Shehu
Kristi Koshi
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit David Heurtevent dhe Bekim Bulica.
Për personat e arrestuar dhe të shpallur në kërkim janë ngritur akuza që variojnë nga vrasja me dashje në bashkëpunim, te përkrahja e autorit të krimit, moskallëzimi i krimit dhe mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme.
ZËRI raportoi hap pas hapi zhvillimet nga ngjarja, ku sipas burimeve gjithçka dyshohet se ka nisur pas një konflikti mes të riut dhe disa personave të tjerë, po me kombësi portugeze gjatë një feste me katër DJ të ardhur nga Franca. Një vështrim, një fjalë më shumë për një vajzë shqiptare dhe debati është përshkallëzuar në përplasje fizike, e mëpas në vrasje. Pas sherrit banal turisti 20 vjeçar u la i pajetë mbi shezlonët e plazhit.



