Aktualitet

U hodh në lumin Buna për t’u larë, por u plagos rëndë, qeveria 20 milionë lekë për mjekimin e kirurgut të QSUT-së

"KM" ka vendosur të ofrojë dy milionë lekë të reja për të mbuluar shpenzimet e mjekut Dibra.

I.F
U hodh në lumin Buna për t’u larë, por u plagos
Arvin Dibra

TIRANË- Këshilli i Ministrave vendosi të mbulojë shpenzimet e mjekut kirurg të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), Arvin Dibra, i cili u dëmtua rëndë gjatë zhytjes në lumin Buna. "KM" ka vendosur të ofrojë dy milionë lekë të reja për të mbuluar shpenzimet e mjekut Dibra.

Incidenti ndodhi më 10 gusht të vitit 2024, ku shefi i Kirurgjisë, ka qenë duke ngrënë drekë me familjen, në një lokal në Dajç, pranë bregut të Bunës. Ai është futur për t’u larë dhe është zhytur me kokë, por fatkeqësisht është përplasur me gurët në thellësi dhe ka marrë dëmtime serioze. Pas marrjes së ndihmës së parë në QSUT, pasditen e të mërkurës mjeku është nisur me një avion privat drejt Italisë, për mjekim më të specializuar.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, dhe në vijim të vendimit nr.15, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2025”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Arvin Dibra, në masën 2 000 000 (dy milionë) lekë.

2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ngjarja ndodhi të shtunën e 10 gushtit, rreth orës 12:25. Fillimisht 52-vjeçari u transportua me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndërhyrje mjekësore më të specializuar dhe pas operacionit të parë pati përmirësime të lehta. Por më tej u nis për në Itali, për mjekim edhe më të specializuar. Prof.Dr. Arvin Dibra aktualisht mbante postin si Shef i Klinikës 1 Kirurgjikale QSUT, si dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB