Aktualitet

Arrestohet në Rusi Shpëtim Aliu-Salvatore furnizoi grupet e Dritan Gjikës e Eldi Dizdarit me kokainë nga Brazili

Salvadore merrej me trafikun e drogës, ndërsa për pastrimin e parave të kokainës kishte angazhuar vëllain e tij Isa Aliun.

F.I
Arrestohet në Rusi Shpëtim Aliu-Salvatore furnizoi grupet e Dritan
në foto Isa Aliu, vëllai i Shpëtim Aliut

TIRANË-Salvatore alias Shpëtim Aliu është arrestuar në Rusi, bëjnë me dije burime për ZËRI. Aliu u shpall në kërkim nga SPAK pas aksionit të 16 qershorit, ku u godit grupi i strukturuar kriminal i dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine dhe pastrim parash. Aliu akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

"S. A., 51 vjeç, i kapur në Rusi, të cilit, në muajin qershor, 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”,"-njofton Policia.

Aliu, sipas dosjes hetimore të siguruar nga ZËRI dyshohet se ka luajtur rol kyç në qarkullimin dhe investimin e të ardhurave kriminale, përmes disa bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme. Salvadore Aliu, dyshohet se ishte furnitori kryesor me kokainë i grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit. Ai dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të përfituara nga aktiviteti kriminal, duke u ndihmuar nga vëllai i tij Isa Aliu. Në komunikime të zbardhura nga platforma SKY ECC, mes tij dhe vëllait Isa Aliu, përmenden shuma të mëdha parash, përfshirë 6 milionë euro cash dhe më pas rreth 20 milionë euro të tjera që pritej të siguroheshin për investim.

Salvadore merrej me trafikun, ndërsa për pastrimin e parave të kokainës kishte angazhuar vëllain e tij Isa Aliun. Në bisedat e zhvilluara në gusht të vitit 2020 mes vëllezërve Isa Aliu dhe Shpëtim Aliu, i njohur edhe me nofkën “Salvadore”, flitet për shuma milionëshe parash të siguruara nga aktiviteti kriminal. Në një prej komunikimeve, Isa Aliu shprehet se kishte në dispozicion rreth 6 milionë euro cash.

Në dosjen e SPAK siguruar nga ZËRI janë evidentuar 5 episode kryesore të trafikut të dorgës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës. Referuar komunikimeve mes tyre në aplikacionin Sky Ecc, Salvatore Aliu, ka patur rolin e siguruesit dhe organizuesit të nisjes së ngarkesave me kokainë për llogari të Eldi Dizdarit, ndërsa ky i fundit porositës dhe financues i ngarkesave me kokainë. 

Ndërkohë në një nga bisedat e zbardhura në aplikacionin Sky Ecc mes Aliut dhe Dritan Gjikës, dyshohet se për të kaluar tonelatat me kokainë portet e Ekuadorit, dyshja kishin korruptuar zyrtarët lokalë.

Dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale. Gjatë viteve 2019-2021, grupi ku bën pjesë edhe Isa Aliu ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë./ZËRI

Poll

MOS HUMB