Aktualitet

Lamtumirë Servet Pëllumbi! Politika nderon ish-kreun e Kuvendit, nga Rama, Begaj, Topi... (VIDEO)

Homazhet fillojnë në orën 09:30, ndërsa ato zyrtare do të zhvillohen në orën 12:00.

zh.ll
Lamtumirë Servet Pëllumbi! Politika nderon ish-kreun e Kuvendit, nga
foto ilustrim: servet pellumbi-ceremonia mortore

TIRANË- Sot zhvillohet ceremonia mortore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.

Arkmorti ka mbërritur në sheshin Skënderbej në orën 09:00, dhe më pas është vendosur në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve do të mund të japin homazhet e tyre. 

Homazhet në nder të Pëllumbit kanë nisur në orën 09:30, ku kanë marrë pjesë politikanë, figura të njohura, të cilët kanë vlerësuar shembullin dhe figurën e Pëllumbit në politikën shqiptare. Mes tyre edhe kryeministri Edi Rama.

Nuk kanë munguar reagimet e familjarëvel, figurave politike, të majtë e të djathtë, shkrimtarë e publicistë. 

Shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj mori pjesë në homazhet për ish-kryetarin e Kuvendit, duke kujtuar figurën e tij me fjalë të ndjera. Zogaj vlerësoi shembullin e tij në politkën shqiptare.

“Servet Pëllumbi, ishte i fundit i të moderuarve, i të urtëve në nivel lideri politik në Shqipëri. Besnik i parimeve të së majtës europiane. La në Shqipëri shembullin e politikanit fleksibël, të urave të dialogut, të zgjidhjeve të vështira si pak kush tjetër. Me vdekjen e tij politika e shqiptare është më e varfër”, tha Zogaj gjatë prononcimit për media.

Deputeti socialist, Erion Braçe, teksa mori pjesë në homzhe kujtoi kohën kur Servet Pëllumbi ishte profesori i tij dhe i socialistëve. Braçe zbuloi për mediat se çfarë shkroi në librin e dedikuar për homazhet, ndërsa ndau edhe hidhërimin për humbjen e shumë personaliteteve kohe pas kohe. 

“I ri isha kur drejtonte profesor Servet Pëllumbi. Shkrova faleminderit pafund që mua dhe të tjerë si unë na priti, na mësoi, na edukoi dhe na rriti, por na bindi që jo vetëm të qëndrojmë këtu, të mos dorëzohemi asnjëherë për ato që janë bindje, të drejta, ide të qarta dhe natyrisht, shërbimi publik ndaj qytetarëve. Po ikin shumë, nuk është e lehtë, është e vështirë se duket sikur humb një pjesë tjetër. 35 vite nuk janë pak, janë një jetë e ndërtuar me këta njerëz që kohë pas kohe po ndahen me ne. Është rrugëtimi i fundit sot i profesor Servet Pëllumbit. Jo më kot fotoja që qarkullonte dje ishte nga ky shesh dhe e meritonte të përcillej nga ky shesh”, tha Braçe.

Deputeti demokrat, Fatmir Mediu, gjithashtu mori pjesë në homzhe, duke e cilësuar Pëllumbin një njeri të drejtë që i dha dinjitet Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Mediut, Pëllumbi meriton respektin e të gjithë qytetarëve.

“Një njeri i drejtë dhe i mençur që i dha dinjitet Kuvendit të Shqipërisë. Kishte parime të vetat, ndryshe nga ato që kishim ne. Nuk mbaj mend ndonjë kryetar që të përcillte vetëm atë që ishte më e mira për vendin. Meriton respektin jo vetëm të deputëtve por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Mediu.

Gjithashtu, ish-presidenti Bamir Topi ka marrë pjesë në homazhet në nder të ish kryetarit të Kuvendit. Topi u shpreh për mediat se Pëllumbi ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar të politikës.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet për familjen. Jam njohur gjatë aktivitetit tim politik nga afër me profesor Pëllumbin. Vjen si një bindje e brendshme dhe konstante, ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar, jo vetëm të politikës në përgjithësi, por brenda PS në veçanti. Një njeri reformator. Ka shumë për të folur, por unë do ta mbyll me këto fjalë, është një nga burrat më të mirë që unë kam pasur rastin të bashkëpunoj në politik”, tha Topi.

Kreu i shtetit, Bajram Begaj ishte gjithashtu i pranishëm në cerëmoninë mortore. Begaj shprehu vlerësimin e tij për rolin dhe figurën e Pëllumbit, duke e cilësuar si një figurë të spikatuar të politikës shqiptare. 

Kryeministri Edi Rama gjithashtu mori pjesë në homazhe, duke e cilësuar ish-kreun e Kuvendit si një pikë referimi në historinë e ndryshimit të epokave. 

“Unë profesorin e kam njohur pak, dhe përgjithësisht nga larg. Dua të kujtoj se marrëdhënia ime me të, është tipike e një antipatie reciproke në distancë, pastaj e një simpatie reciproke në afërsi. Që kur se e kam parë të shfaqet në sytë e mi, profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja. Ka qenë një nga mësimet më të çmuara të gjithë rrugëtimin tim, përballja e realitetit me njeriun, përtej etiketimeve, kornizimit të tij në sferën publike. Kam njohur një njeri shumë progresist, dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte gjithçka ndryshe dhe njeri solidar me mua në kohë të vështira. Shfaqet në ekranin e celularit tim, duke më dërguar fjalë inkurajuese. Natyrisht, që kur një njeri largohet shumëçka që lidhet me të, afrohet. Por besoj se edhe kur ky afrimi i gjërave si rezultat i momentit, të tretet në kohë, profesori do mbetet pikë referimi në historinë e ndryshimeve dhe ndryshimin e epokave. Një pikë referimi edhe për ata që do duan të kuptojnë dinamikat dhe historinë e PS. Besoj se me zë apo pa zë, gjithësekush qëe  ka njohur, do e kujtojë si burrë të mirë, të ndershëm, të mençur, dhe mbi të gjitha babaxhan”, u shreh Rama. 

Ndërkohë në orën 13:00 kortezhi funeral u nis nga Teatri i Operas dhe Baletit drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet trupi i Servet Shkëmbit. 

Kush ishte Servet Pëllumbi

Servet Pëllumbi ka lindur në Korçë dhe pas viteve 90. Ai kreu studimet e larta në Universitetin e Petersburgut dhe është titulluar atje doktor i shkencave në Letërsi. Nga viti 1960 – 1963, Pëllumbi ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri më 1977. Pëllumbi u zgjodh anëtar i Komitetit Drejtues së Partisë së Punës.

Ndryshimet demokratike në vitin 1990, e pozicionuan Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, post që e mbajti deri në vitin 1996. Servet Pëllumbi ka udhëhequr fushatën e socialistëve, për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën dhe më pas fushatën për lirimin e Fatos Nanos nga burgu. Njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare. 

Për kontributin e tij, ai është dekoruar nga Presidenti Alfred Moisiu me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, një nga vlerësimet më të larta në vend./ZËRI

Poll

MOS HUMB