TIRANË- Belinda Balluku ka ankimuar në Apel vendimin e Gjykatës së Posaçme, teksa kërkon shfuqzimin e masave të sigurisë "pezullim nga detyra" dhe "ndalim i daljes jashtë vendit". Ndërkohë, sot po ashtu do të shqyrtohet padia e Këshillit të Ministrave sa i takon vendimit të GJKKO-së ndaj saj.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH./ZËRI

