TIRANË- Gjykata e Posaçme ka pezulluar nga detyra Belinda Ballukun, e cila deri tani mbante postin e zëvendëskryeministres dhe njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Përveç saj, Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare, Erald Elezi. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, Balluku dhe vartësit e saj janë marrë nën hetim dhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe në Tiranë, me vlerë 19 milionë euro. Prokurori i Posaçëm Dritan Prençi dyshon se në këtë tender është ndjekur e njëjta procedurë si në tunelin e Llogarasë, duke e paracaktuar fituesin. Kjo indicie ka ardhur pas bisedave që janë gjetur në telefonin e Evis Berberit, ish-kreut të ARRSH-së, i cili ndodhet pas hekurave pas më shumë se një viti. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Balluku ngjiti shkallët e kryeministrisë në mesditë, ku pritet dhe të dorëzojë zyrtarisht detyrën. Politikania socialiste është funksionarja më e lartë publike në detyrë, që është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Ballukut i është bllokuar edhe pasaporta, dhe mund të dalë jashtë vendit vetëm me leje të posaçme për probleme shëndetësore apo familjare.
/ZËRI