
GREQI-Dy fëmijët që ranë në lumin Arachthos në Arta të mërkurën (11 Maj) kanë pësuar vdekje klinike. Prindërit e Spyrosit 14-vjeçar, i cili u hodh në lumë për të shpëtuar shokun e tij që po mbytej, dhe 12-vjeçarit kanë vendosur të dhurojnë organet e fëmijëve të tyre. I ati i 12-vjeçarit mes lotësh tregon se ka vendosur që zemra e djalit të tij të dhurohet.
"Falenderoj shtetin grek, doktorët e gjithë Greqisë që bënë të pamundurën për djalin tim. Djali imi iku nga kjo jetë, e morri Zoti, por zemra e tij mbeti në Greqi t’i dhurohet një fëmije tjetër e ti shtojë jetën që do bënte djali im”, u shpreh babai i Kleonit.
14-vjeçari dhe shoku i tij 12-vjeçar qëndruan nën ujë për 20 minuta, derisa emigranti shqiptari arriti që t’i nxjerrë nga uji. Ndërsa u deshën edhe 30 minuta të tjera që të dërgoheshin në spitalin e Artës, ku mjekët zhvilluan “betejë” për t’i rikthyer në jetë. Ata u transferuan më pas në spitalin e Rios ku u trajtuan në kujdesin intensiv në gjendje kritike. Përafërsisht dy ditë pasi ranë në lumë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fëmijët pësuan vdekje të trurit./ZËRI