KRUJË-Ylli Zalla i shpallur në kërkim prej nëntori 2025 është arrestuar gjatë operacionit policor të koduar “Fundi i Arratisë” në një banesë në afërsi të shtëpisë së tij në Zallë të Fushë Krujës. Emri i tij doli në skenë si një nga të dyshuarit për atentatin e ndodhur në 11 nëntor 2025 në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani, miku i Emiljano Shullazit dhe Muçi Shaljani, punonjës i AMP, Muçi.
Konkretisht gjatë një operacioni në Nikël në nëntor të 2025, u gjet një arsenal armësh dhe minash, të cilat dyshohet se mund të kenë lidhje me grupime kriminale aktive në zonë. Në banesë janë gjetur automatikë, një mitroloz, pjesë armësh të ndryshme, 12 granata ,fishekë të kalibrave te ndryshme, fitil zjarrpërcjellës, si dhe 3 kallëpë tritoli. Poseduesi i armëve rezultoi Ylli Zalla.
49-vjeçari dyshohet se është personi që iu ka siguruar armët atentatorëve dhe nga e njëjta banesë dyshohet se ka dalë edhe mjeti tip 'Toyota Yaris' i autorëve të atentatit mafioz në Rinas.
Më 20 shkurt të këtij viti afër banesë së Ylli Zallës, në fshatin Zall u gjetën në tokë dhe u sekuestruan 24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti, 3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh, 2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në vitin 2014 ai u arrestua për prodhim të bombave artizanale. Sipas policisë ai dyshohej për lidhje me grupin e muxhahedinëve që dërgojnë shqiptarë për të luftuar në Siri. Ndaj tij Gjykata e Shkallës në Parë në Krujë kishte vendosur më 13 mars të 2014 masën e arrestit me burg pasi ka kryer vepren penale "Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake” si dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Ndërkohë Zalla është arrestuar edhe në vitin 2011, pasi kishte kërcënuar me jetë edhe ish-pronarin e fabrikës së çimentos në Krujë.
Një ditë më parë 16 korrik një sasi tritoli shpërtheu në banesën e tij. Si pasojë e shpërthimit u shkaktuan dëme materiale në banesë, ndërsa u dogj edhe automjeti në pronësi të Zallës, i cili ishte i parkuar pranë banesës.
Sot u shënua fundi i arratisë së tij, ku gjatë arrestimit Zalla ka qënë i armatosur me kallashnikov me fishekë. Arrestimi i tij pritet të hedhë dritë edhe mbi atentatitn e Rinasit./ZËRI

