Aktualitet

Në kërkim për 2 arsenale, arrestohet i shumëkërkuari Ylli Zalla, çfarë e lidh me atentatin e Rinasit

Arrestimi i tij vjen një ditë pasi një sasi tritoli shpërtheu në banesën e tij.

F.I
Në kërkim për 2 arsenale, arrestohet i shumëkërkuari
Ylli Zalla

KRUJË-Ylli Zalla i shpallur në kërkim prej kohësh është arrestuar në Krujë. Zalla u shpall në kërkim për atentatin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Tre ditë pas atentatit të bujshëm të 11 nëntorit, 49-vjeçarit iu gjetën dy arsenale armësh një në Zall dhe një në Nikël. Ndërkohë dyshohet se mjeti tip 'Toyota Yaris' i autorëve të atentatit në Rinas doli nga banesa e Ylli Zallës.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili kishte mundur t’i shpëtonte disa herë Policisë.

Në kuadër të operacionit “Fundi i Arratisë”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 49-vjeçarin në një zonë të pyllëzuar. Në momentin e kapjes, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri kallashnikov dhe 3 krehra.

Më datë 14 nëntor 2025, në banesën e tij u gjet një arsenal armësh, lëndësh plasëse, armësh zjarri dhe municioni.

Më datë 20 shkurt, në vijim të kontrolleve të ushtruara në zonën përreth dhe pranë banesës së 49-vjeçarit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë gjetën dhe sekuestruan një arsenal armësh, lëndësh plasëse dhe municioni luftarak, lëndë narkotike Cannabis Sativa, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Gjithashtu, më datë 23 qershor, në vijim të operacioneve për kapjen e tij, gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje, një celular, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.

Materialet procedurale do t’u referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Zalla rezulton person me precedentë penalë për trafik armësh dhe vendosje eksplozivi, si dhe njihet edhe për rekrutime të shqiptarëve në ISIS. Arrestimi i tij vjen një ditë pasi një sasi tritoli shpërtheu në banesën e tij. Si pasojë e shpërthimit u shkaktuan dëme materiale në banesë, ndërsa u dogj edhe automjeti në pronësi të Zallës, i cili ishte i parkuar pranë banesës.

Hetuesit po verifikojnë disa pista, ku njëra prej tyre është mundësia që lënda plasëse të jetë vendosur nga vetë Zalla. 49-vjeçari më herët u ka shpëtuar operacioneve policor lidhur me kapjen e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB