TIRANË- Ish-drejtori i komanduar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artion Saliasi, është marrë i pandehur në lidhje me rekrutimin në kundërshtim me ligjin brenda AMP-së të Muçi Shaljani (Sheqerit), i cili mbeti i vrarë së bashku me Gilmando Danin 11 nëntor pasi dolën nga aeroporti i Rinasit.
Saliasi është marrë i pandehur pas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës dhe AMP-së për shpërdorim detyre, pasi u konstatuan gjatë hetimeve dhe verifikime shkelje në procedurat e punësimit të Shaljanit. Ndërkohë, edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse në AMP, Gëzim Sala, është marrë i pandehur, pavarësisht se është rikthyer në detyrë pasi Apeli i hoqi masën e pezullimit nga detyra rreth 1 muaj më parë.
Në njoftimin zyrtar Prokuroria e Tiranës, raportohet se Shaljani ishte punësuar prej afro 2 muajsh, si punonjës i AMP-së në funksion ndihmëspecialist në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Prokuroria provoi se dokumenti i të ndrjerit ishte i falsifikuar pasi nuk rezultonte që AMP ta ketë pajisur me dokument.
Sipas Prokurorisë, Sala ka urdhëruar punësimin pranë AMP-së të Shaljanit me urgjencë me motivacionin “pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”. Shaljani është paguar deri ditën e atentatit nga AMP, nga 16 shtatori deri më 11 nëntor 2025, pa u paraqitur asnjë ditë të vetme në punë./ZËRI
