KORÇË- Nëna e 20-vjeçarit Joan Zuko, Ornela Zuko ka reguar publikisht në rrjetet sociale lidhur me humbjen e djalit të saj, i cili u vra në Korçë pak ditë më parë nga shoku i tij Kristjan Sterjo. Përmes reagimit ajo ka falënderuar të gjithë personat që i kanë qëndruar pranë familjes në këto ditë të vështira.
Ndër rreshta ajo ka përshkruar dhimbjen e thellë që po perjeton familja, duke shkruar se largimi i të birit ishte i padrejtë dhe se ka lënë një boshllëk të madh.
Postim i plotë i bërë nga nëna e Joan Zukos:
Në këto ditë dhimbjeje të pafund, duam të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë familjarët, të afërmit, miqtë, shokët dhe të njohurit që na qëndruan pranë por dhe te gjithe ju miqte e mi qe me keni derguar nje numur te pafundem mesazhesh në humbjen më të rëndë të jetës sonë.
Prania juaj, fjalët ngushëlluese, përqafimet dhe çdo gjest dashurie e respekti për Joanin tonë na dhanë forcë në çastet kur zemrat tona ishin të copëtuara. Dashuria që i treguat dëshmoi edhe një herë se sa shumë u desh dhe sa kujtime të bukura la në zemrat e të gjithëve.
Joani ynë u largua padrejtësisht dhe shumë herët, duke lënë pas një boshllëk që asgjë nuk mund ta mbushë. Por buzëqeshja, mirësia, dashuria dhe shpirti i tij i bukur do të jetojnë përgjithmonë brenda nesh.
Me dhimbje dhe mirënjohje të përjetshme,
Familja e Joanit!
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 8 gushtit, në një prej pallateve të lagjes nr. 15 në Korçë. Sipas dinamikës së ngjarjes, referuar dëshmisë së autorit, 20-vjeçari Zuko është futur në një pallat në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, ndërsa dyshohet se mbante një thikë në dorë. Ai u qëllua me armë zjarri në pjesën e poshtme të shpatullës dhe humbi jetën në vend, në katin e tretë të pallatit.
Autori i dyshuar, Kristian Sterjo u arrestua vetëm pak orë pas ngjarjes. Ky i fundit ka rrëfyer në mënyrë të detajuar konfliktin me 20-vjeçarin, duke treguar se përplasja mes tyre kishte nisur rreth dy javë më parë për shkak të një vajze, mikeshës së tij.
Sipas deklaratës së tij, ata u përballën sërish ditën e ngjarjes, fillimisht pranë disa lokaleve, ku pretendon se Zuko tentoi ta godiste me thikë. Pas këtij konflikti, ai e ka ndjekur deri sa e gjeti dhe e qëlloi për vdekje. Më pas, autori ka qëndruar pranë banesës së tij deri në momentin e arrestimit nga policia.
Sipas raportimeve, Zuko dhe Sterjo njiheshin prej vitesh dhe ishin shokë fëmijërie. Zuko ishte pjesëtar i Forcave të Armatosura, ndërsa sipas autori Sterjo raportohet se kishte qenë i arrestuar edhe më parë për plagosje me thikë./ZËRI


