KORÇË- Detaje të reja dalin në dritë nga vrasja e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Sipas burimeve, viktima dhe autori i dyshuar kanë qenë shokë dhe janë rritur së bashku.
Autori i dyshuar rezulton të ketë precedentë penalë, ndërsa më herët është përfshirë në ngjarje të lidhura me armëmbajtjen pa leje dhe plagosjen.
Megjithatë, ende mbetet i paqartë motivi që çoi në përplasjen mes dy të rinjve, të cilët njiheshin prej vitesh. Këto të dhëna e bëjnë edhe më kompleks hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes.
20-vjeçari dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga autori, i cili e ka ndjekur deri në hyrjen e një pallati, ku kishte tentuar t'i fshihej.
Pasi kreu krimin, autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vijon të jetë në arrati. Policia ka arritur ta identifikojë dhe ka intensifikuar kontrollet në terren për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e dinamikës së ngjarjes./ZËRI