TIRANË- Mario Përlleshi ka dëshmuar sot në Gjykatë për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, Martin Canit. Në prani të një psikologeje, i mituri është marrë në pyetje nga avokatët e pranishëm për të treguar edhe njëherë gjithë dinamikën e ngjarjes dhe arsyen e përplasjeve me Martinin. Sipas të pandehurit për vrasje, sherri kur ishin takuar në shkollë, Martin Cani e kishte goditur me grushta. Më pas, Cani i kishte bërë një ftesë në rrjetin social "Snapchat", ku edhe kishte vijuar debati mes tyre. E gjithë kjo ngjarje sipas tij, ka ndodhur 3 ditë para vrasjes së Canit.
Përlleshi thotë se shkaqet e sherrit, ishin vijim i debateve të 3 ditëve para ngjarjes ku ka pretenduar se është goditur me grushta nga Martin Cani. Ky i fundit i ka dërguar ftesë në “SnapChat” sipas Përlleshajt, ku kanë vijuar debatet dhe në fund, Mario pretendon se e kanë lënë të sqarohen të hënën, ditë kur edhe ka ndodhur ngjarja e rëndë.
"Sherri nisi në TikTok. 3 ditë para ngjarjes ai më goditi me grushte. Debatuam edhe në Snapchat dhe e lamë që do të sqaroheshim ditën e hënën,"-tregon i riu. Ndërkohë që për pyetjet që i janë bërë ditën e ngjarjes, i mituri ka zgjedhur që të përgjigjet vetëm me "nuk e mbaj mend".
Ndërsa në lidhje me mjetin prerës ai ka thënë se nuk ka patur thikë me vete atë ditë, por ka gjetur mjet prerës në rrugë.
Edhe seanca e sotme, si gjithë të tjerat është zhvilluar me dyer të mbyllura, kjo edhe për shkak të moshës së mitur të të akuzuarit Përlleshaj. Ky i fundit do të merret në pyetje edhe në seancën e ardhshme, pasi këtë të hënë, avokatët e palës së dëmtuar kanë paraqitur kërkesa të tjera sa i takon ekspertizave të kryera.
Si ndodhi krimi?
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari u shoqërua në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI