Aktualitet

Çudia me konfliktin në Radhimë/ Gjykata lë në burg 3 truprojat e Muçës por liron qitësin e Vasil Bedinajt, Anxhelo Breshanin

Ndër pesë të arrestuarit lidhur me përplasjen e bujshme mes palëve ku u përfshinë rreth 15 persona, vetëm 3 prej tyre janë lënë në qeli.

F.I
Çudia me konfliktin në Radhimë/ Gjykata lë në burg 3
Vasil Bedinaj dhe Luan Muça

VLORË-Gjykata e Vlorës dha sot masat e sigurisë për personat e arrestuar lidhur me konfliktin e armatosur mes dy biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça në hotel 'Regina'. Ndër pesë të arrestuarit lidhur me përplasjen e bujshme mes palëve ku u përfshinë rreth 15 persona, vetëm 3 prej tyre janë lënë në qeli.

Konkretisht Gjykata vendosi që të lejë në burg shoqëruesit e Luan Muçës, Mandrit Lleshajn, pronarin e ‘SWAT Security’, dhe rojet e sigurisë, shqiptarin nga Kosova, Blerim Hetën e Klaudio Lleshajn. Nga ana tjetër Angjelo Breshanin, njeriu i Vasil Bedinajt i cili qëlloi drejt ‘Range Rover’-it, u vendos arrest shtëpie. Vetë biznesmeni Luan Muça është lënë në masën 'detyrim paraqitje'. 

Lidhur me ngjarjen në kërkim janë shpallur 6 persona, mes tyre edhe vëllai i biznesmenit Luan Muça, Bujar Muça, i cili ka qenë prezent në konfliktin e armatosur.

Sherri mes dy biznesmenëve të njohur, Vasil Bedinaj dhe Luan Muça dyshohet se ka shkak një tokë në Palasë ku të dy pretendojnë se kanë pronësinë. Mësohet se biznesmeni Luan Muça e kishte blerë tokën, duke marrë edhe vërtetimin e pronësisë. Ndërkohë, biznesmeni Vasil Bedinaj ka blerë një sipërfaqe toke pranë pronës së Luan Muçës, ku dyshohet se një prej parcelave të blera prej tij ka mbivendosje me pronën e blerë dy herë nga Muça. Të dy kishin projekte për ndërtime në tokën në fjalë. 

ZËRI ekskluzivisht raportoi se mesditën e 3 shtatorit dhjetra persona të armatosur me në krye Luan Muçën e Delta Group u përplasën me biznesmenin Vasil Bedinaj dhe me ushtarët e tij. Pas këtij momenti Bedinaj denoncon se i vendosën një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kërcënuan që brenda 48 orësh të largohej nga Shqipëria. Përplasja nuk u mbyll në hotel. Gjatë largimit me makina nga ambjentet e hotelit të Bedinajt, burime për ZËRI bënë me dije se personat e përfshirë në konflikt ndoqën njëri-tjetrin.

Gjatë ndjekjes ka patur shkëmbim zjarri nga të dyja palët. Në Range Rover-in ku udhëtonte shtetasi nga Kosova, Blerim Heta, u gjetën dy plumba. Një Range Rover tjetër u aksidentua gjatë ndjekjes, ku udhëtonte Luan Muça me Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F. “Swat Security”. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë. Një audi a8, në pronësi të shtetasit Renato Kodra, me targë AB 295 YB, u gjet i djegur në Radhimë. Brenda Audit janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë gjaku, çka konfirmon se përveç Luan Muçës dhe Madrid Lleshajt, të cilët u dëmtuan gjatë aksidentit ka patur edhe person tjetër të plagosur./ZËRI

Poll

MOS HUMB