VLORË-Gjykata e Vlorës ka dhënë masat e sigurisë për personat e arrestuar lidhur me konfliktin e armatosur mes dy biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça në hotel 'Regina'.
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për biznesmenin Luan Muça, ndërsa për Angjelo Breshanin është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ndërkohë, për tre të arrestuarit e tjerë, Blerim Hetën, Klaudjo Lleshajn dhe Mandrit Lleshajn, pronarin e ‘SWAT Security’, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Lidhur me ngjarjen në kërkim janë shpallur 6 persona, mes tyre edhe vëllai i biznesmenit Luan Muça, Bujar Muça, i cili ka qenë prezent në konfliktin e armatosur.
Sherri mes dy biznesmenëve të njohur, Vasil Bedinaj dhe Luan Muça dyshohet se ka shkak një tokë në Palasë ku të dy pretendojnë se kanë pronësinë. Mësohet se biznesmeni Luan Muça e kishte blerë tokën, duke marrë edhe vërtetimin e pronësisë. Ndërkohë, biznesmeni Vasil Bedinaj ka blerë një sipërfaqe toke pranë pronës së Luan Muçës, ku dyshohet se një prej parcelave të blera prej tij ka mbivendosje me pronën e blerë dy herë nga Muça. Të dy kishin projekte për ndërtime në tokën në fjalë.
ZËRI ekskluzivisht raportoi se mesditën e 3 shtatorit dhjetra persona të armatosur me në krye Luan Muçën e Delta Group u përplasën me biznesmenin Vasil Bedinaj dhe me ushtarët e tij. Pas këtij momenti Bedinaj denoncon se i vendosën një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kërcënuan që brenda 48 orësh të largohej nga Shqipëria. Përplasja nuk u mbyll në hotel. Gjatë largimit me makina nga ambjentet e hotelit të Bedinajt, burime për ZËRI bënë me dije se personat e përfshirë në konflikt ndoqën njëri-tjetrin.
Gjatë ndjekjes ka patur shkëmbim zjarri nga të dyja palët. Në Range Rover-in ku udhëtonte shtetasi nga Kosova, Blerim Heta, u gjetën dy plumba. Një Range Rover tjetër u aksidentua gjatë ndjekjes, ku udhëtonte Luan Muça me Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F. “Swat Security”. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë. Një audi a8, në pronësi të shtetasit Renato Kodra, me targë AB 295 YB, u gjet i djegur në Radhimë. Brenda Audit janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë gjaku, çka konfirmon se përveç Luan Muçës dhe Madrid Lleshajt, të cilët u dëmtuan gjatë aksidentit ka patur edhe person tjetër të plagosur./ZËRI



