Aktualitet

Tjetër e penduar për dosjen "Veliaj"/ Ish-Drejtoresha e TKOB pranon firmosjen e kontratës për Ajolën Xoxën: U ndikova nga pushteti!

Në dëshminë që ajo ka thënë në SPAK, zbulon se operatori ekonomik dhe shuma financiare ishin përcaktuar nga vetë Xoxa, ndërsa të gjitha marrëveshjet janë koordinuar përmes qendrës “Harabel”.

k.m.
Tjetër e penduar për dosjen "Veliaj"/ Ish-Drejtoresha e TKOB
Ajola Xoxa dhe Abigeila Voshtina

TIRANË- Një tjetër e hetuar është kthyer në të penduarën e drejtësisë për dosjen e Erion Veliaj. Kësaj herë, ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina, ka pranuar para Prokurorisë së Posaçme (SPAK) se ka nënshkruar kontrata të paligjshme në vlerën e 30 mijë eurove për aktivitetin “Festivali Ndërkombëtar i Vallëzimit”, duke theksuar se veprimet janë kryer nën ndikimin e drejtpërdrejtë të bashkëshortes së kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erion Veliajt, Ajola Xoxës. Në dëshminë që ajo ka thënë në SPAK, zbulon se operatori ekonomik dhe shuma financiare ishin përcaktuar nga vetë Xoxa, ndërsa të gjitha marrëveshjet janë koordinuar përmes qendrës “Harabel”.

“Unë nuk kam pasur asnjë kontakt me shoqërinë ‘Rametal’. Gjithçka u menaxhua nga Ajola Xoxa,”- është shprehur ajo në rrëfimin e saj.

Në dëshminë e saj përmendet edhe një takim në Ministrinë e Kulturës, ku Ajola Xoxa ka kërkuar që një shumë prej 240 mijë eurosh për projektet artistike “Sonoma” dhe “Gravity”  të mos menaxhoheshin nga TKOB, por nga qendra “Harabel”. Po ashtu, ka folur për një takim edhe në zyrat e Xoxës por pretendon se nuk e mban mend arsyen e takimit. 

DOKUMENTI: 

Tjetër e penduar për dosjen "Veliaj"/ Ish-Drejtoresha e TKOB

Ajo ka kontaktuar me shtetasen Romina Tafaj, e cila ishte violiniste pranë orkestrës së Teatrit dhe kishte një organizatë të regjistruar. Romina ka pranuar të aplikojë në Bashkinë e Tiranës dhe pas aplikimit është përfituar një fond rreth 40,000 euro, që është përdorur për të paguar artistët e ftuar që nuk ishin pjesë e organikës së Teatrit për eventet e muajit nëntor 2022. Romina ka qenë gjithashtu pjesë e orkestrës në këto shfaqje. E pyetur për marrëdhëniet saj me shtetasen Ajola Xoxa, Voshtina deklaroi se është takuar për herë të parë me të në vitin 2014 gjatë dy koncerteve të violinistit Tedi Papavrami. Ajo nuk e konsideron se ka pasur marrëdhënie personale apo shoqërore me të. Kujton një takim me Ajolën në korrik 2022 në një pasticeri përballë Sky Toëer, ku kanë diskutuar mbi datat e Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit (ICDF), por jo për buxhetin. Ajo pranon se ka qenë një herë në zyrat e Ajolës në katin e 10 të Sky Toëer, por nuk e kujton arsyen e vizitës. Në lidhje me organizimin e ICDF, Voshtina pohon se ka zhvilluar takime me Ajola Xoxën dhe Tim Nečman, të cilat shpesh janë zhvilluar në zyrën e saj në TKOB, ku kanë qenë të pranishëm edhe shtetaset Ketrina Braho dhe Ada Gura. Ajo konfirmon se Qendrën Harabel, e lidh menjëherë me Ajola Xoxën, dhe se ka qenë organizata që ka përfaqësuar projektin. Në lidhje me një kontratë qiraje të lidhur me shoqërinë Rametal shpk, Voshtina u njoh me dokumentin Nr. 882/1 Prot., datë 20.09.2023, të cilin e kishte nënshkruar ajo vetë. Ajo sqaroi se kontrata është hartuar me kërkesë të Ajola Xoxës, e cila kishte përzgjedhur operatorin dhe kishte përcaktuar shumën. Shtetasja Abigeila Voshtina deklaroi se nuk ka pasur kontakte me përfaqësues të Rametal-it dhe nuk ka marrë pjesë në negociata, Sipas saj, Ajola kishte iniciuar të gjitha diskutimet financiare dhe teknike në bashkëpunim me Tim Neeman dhe një ekonomiste të përfshirë nga vetë Harabel. Deklaruesja kujton një takim në Ministrinë e Kulturës me Ajola Xoxën, Tim Nečman dhe sekretaren e përgjithshme Zerina Bruci, ku u diskutua buxheti për shfaqjet "Sonoma" dhe "Gravity", Ajola Xoxa kishte kërkuar që një shumë prej 240,000 euro të menaxhohej nga Qendra Harabel, gjë me të cilën deklaruesja shpjegon se nuk ishte dakord, pasi sipas saj fondet publike duhej të menaxhoheshin nga Teatri dhe jo nga një organizatë e jashtme. Sipas deklarueses, kjo solli krisjen e marrëdhënies midis saj dhe Ajolës. Nga ana tjetër, deklaruesja shpjegon se kishte vështirësi me kohën, pasi procedurat duhej të zhvilloheshin gjatë muajit gusht, periudhë në të cilën stafi administrativ i Teatrit ishte i reduktuar. Për shkak të presionit dhe ndikimit që Ajola Xoxa ushtronte përmes emrit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj, ajo deklaron se e ndjen veten të detyruar të firmoste dokumentet, ndonëse nuk ishin konform ligjit. Teatri nuk kishte kapacitete për të realizuar të gjitha prokurimet, ndaj procedura për ndriçimin mbeti e vetmja që u zhvillua vetë nga institucioni. Në lidhje me shtetasin Henri Mimani, kjo shtetase deklaron se ai ka qenë drejtor i produksionit dhe lidhës ndërmjet Qendrës Harabel dhe TKOB. Ai kishte bashkëpunuar me Ajolën dhe në disa raste kishte ndërmarrë veprime pa dijeninë e saj, si rasti i transformimit të hollit apo mosvendosja e logos së Ministrisë së Kulturës në banerin e Festivalit ICDF, çështje për të cilën më vonë u kujdes shtetasia Ana Gjoka, shefe e shërbimeve.

Voshtina ka theksuar se ishte e vetëdijshme që kontratat nuk përputheshin me kuadrin ligjor, por i kishte nënshkruar për shkak të “presionit dhe autoritetit të Ajolës, që vepronte në emër të bashkëshortit të saj. Dëshmitë e Voshtinës përputhen me konstatimet e bëra edhe nga drejtoria e auditimit pranë TKOB, ku është theksuar se marrëveshjet binin ndesh me rregullat fiskale dhe normat e menaxhimit të fondeve publike. Edhe pse ka pranuar bashkëpunimin me Xoxën.

Voshtina u shkarkua nga detyra më 13 dhjetor 2024. Shkarkimi i saj erdhi pas kontrolleve të ushtruara nga Krimi Ekonomik dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi dyshohej se kishte abuzuar me fondet. Si Krimi Ekonomik dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit gjetën parregullsi në financat e institucionit që ajo drejtonte, duke ngritur dyshime për abuzim financiar.

Deri më tani, të paktën dy persona kanë vendosur që të bashkëpunojnë me drejtësinë për t'u bërë "të penduar" për çiftin Xoxa-Veliaj. E para që vendosi të tregonte gjithë ato që dinte ishte Adela Kondakçiu, financiere në kompaninë e Ajola Xoxës. Një tjetër dëshmitar që është bërë "i penduar" është Gentian Sula./ZËRI

Poll

MOS HUMB