HIMARË- Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet për kanosje me armë zjarri ndaj punëtorëve të hotelit të tij në Borsh. Blutë bëjnë me dije se 26-vjeçari Emanuel Shkëmbi ka pasur një konflikt verbal me dy punonjëse të hotelit, shtetaset A.O. dhe R.O., nënë e bijë, të cilat i ka kanosur me një armë zjarri tip pistoletë. Lidhur me ngjarjen, është vënë nën hetim edhe babai i tij, pasi ushtroi dhunë fizike ndaj njërës prej punonjëseve. Gjithashtu procedim penal ka nisur edhe për një person tjetër, i cili ka fshehur armën pas konfliktit. Autoritetet sekuestruan në cilësi të provës materiale, 1 armë zjarri tip Pistoletë, 1 krëhër Pistolete dhe 8 fishek 9mm.
Njoftimi:
Himarë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit që mund të kishte pasoja të rënda për jetën, në Borsh.
Kanosi me armë zjarri dy punonjëset në hotelin e tij, vihet në pranga 26-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit tip pistoletë, një krëhër dhe 8 fishekë.
Procedohen penalisht babai i 26-vjeçarit, pasi ushtroi dhunë fizike ndaj njërës prej punonjëseve, si dhe një shtetas tjetër që fshehu armën pas konfliktit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë zjarri dy punonjëset e hotelit të tij në Borsh, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi:
• E. Sh., 26 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”.
Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri tip pistoletë punonjëset e hotelit të tij, shtetaset A. O., 21 vjeçe dhe R. O., 53 vjeçe, nënë e bijë.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
• A. Sh., 56 vjeç (babai i autorit), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases A. O.;
• P. B., 76 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se pas konfliktit ka fshehur armën e zjarrit tip pistoletë, të përdorur nga shtetasi E. Sh.
Arma u gjet dhe u sekuestrua së bashku me krëherin dhe 8 fishekët, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në njërën prej dhomave të hotelit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.